Perez: Ky Real ka kaluar çdo limit
Presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez, foli nga zyrat e qeverisë së rajonit të Madridit duke falënderuar presidentet e këtij rajoni Isabel Diaz Ajuso për mikpritjen dhe lojtarët për përpjekjen e bërë për të shënuar një nga sezonet më të mira në historinë e klubit të bardhë. Presidenti nuk e fshehu admirimin e tij për një skuadër që sipas tij ka kapërcyer të gjitha pengesat dhe që tashmë ëndërron “Decimoquinta” (Champions-i i 15-të).
“Ne do të japim shpirtin tonë për ta rikthyer këtu” tha presidenti, i cili i dha presidentes së Komunitetit të Madridit një kopje të kupës së La Liga-s, një fanellë të firmosur nga e gjithë skuadra dhe një fanellë tjetër me emrin e saj në anën e pasme.
“Dua të falënderoj kryetaren e Komunitetit që na priti me kaq shumë dashuri. Këtu është La Liga numër 36, një trofe shumë i veçantë. Ne kemi arritur gjithçka me mund. Këto 122 vite kemi arritur çdo sukses me përulësi, respekt, solidaritet dhe lojë të ndershme. Ky sezon ka qenë i veçantë për shumë arsye, në radhë të parë për mungesat e shumta. Por kjo skuadër është ngritur mbi më të keqen e futbollit, që janë dëmtimet dhe në fund ia ka dalë të triumfojë. Këtu janë Militao, Kurtua dhe Alaba, të cilët kanë qenë shembull përmirësimi. Ky ekip ka kapërcyer një situatë që dukej e pakthyeshme”, tha Perez.
KRENARIA – “Jam i bindur se vuajtjet e skuadrës kanë qenë arsye për përmirësim dhe krenari. Kjo skuadër është e uritur për triumfe dhe fitore pavarësisht gjithçkaje që ka fituar”, vazhdoi duke thënë Florentino Perez, i cili gjithashtu kishte një fjalë dashurie për trajnerin Karlo Ançeloti.
“Ai është tashmë një nga trajnerët e mëdhenj në të gjithë historinë e klubit”.