Përfaqësimi i komuniteteve në Kuvend, protestohet të martën
Të martën do të protestohet para Kuvendit të Kosovës. Protesta është organizuar nga “Nasa Inicjativa”, lidhur me përfaqësimin e komuniteteve në Kuvend.
Lajmin e ka bërë me dije aktivisti Rron Gjinovci, i cili ka ftuar qytetarët dhe shoqërinë civile të marrin pjesë.
“Përmes këtij marshi protestues synojmë t’i shprehim pakënaqësitë tona si komunitetet jo-shumicë dhe t’i mbrojmë të drejtat e garantuara me Kushtetutë. Po ashtu, do t’ju bëjmë thirrje institucioneve vendore dhe atyre të huaja të reagojnë dhe të ndërmarrin veprimet e duhura për të filluar një proces hetimor në lidhje me dyshimet e ngritura”, ka shkruar Gjinovci në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ndryshe kryetarja e Unionit Socialdemokrate, Duda Balje ka akuzuar Adriana Hoxhiqin nga Partia Komuniteti i Bashkuar se kanë fituar vota duke bashkëpunuar me Listën Serbe.
Balje ka thënë se iniciativa e Hoxhiqit është krijuar nga një plan i Listës Serbe.
“Unë jam shumë e kënaqur me votat, sepse i kam marr me boshnjakët. Jemi tu i prit votat e diasporës. Jemi duke i pritur rezultatet. Nuk e di a jam jashtë Kuvendit. Në këto zgjedhje ka ndodhur diçka e re për neve boshnjakët. Është iniciativa e Adriana Hoxhiq që është formuar me planet e Listës Serbe. Ata kanë fituar shumicën e votave. Ne nuk kemi pasur mundësi me e luftu atë”, ka thënë Balje në emisionin “Frontal”, në T7.
Më tutje ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, ka thënë se Hoxhiqi ka marr vota edhe nga qytetet ku nuk jeton asnjë boshnjak por vetëm serbët.