Përfaqësoni shtetin e jo partitë politike
Shkruan: Jakup Krasniqi
Duke vëzhguar një kohë të gjatë, si pjesëmarrës aktiv e pasiv në politikën kombëtare dhe në përfaqësimet e shumta jashtë vendit edhe aty ku janë marrë vendime të rëndësishme për kombin e shtetin, në asnjë rast nuk kam bërë përpjekjen as më të voglën për ta përfaqësuar grupimin politik që i kam takuar, por gjithnjë kam mbrojtur interesin e kombit e të vendit që i takoja. Përfaqësuesit e zgjedhur apo të emëruar kudo duhet t’i përfaqësojnë interesat e vendit për çka edhe e kanë marrë besimin qytetar.
Ka kohë që zhvillimet politike brendapërbrenda partive të ashtuquajtura politike në Kosovë po e konfirmojnë fuqishëm se demokracia pluraliste ka mbetur në labirintet e viteve të ’90-ta dhe për 19 vjetët e lirisë nuk kanë bërë ndonjë progres veç përkeqësimit dhe të krijimit të partive të shefave apo të atyre familjare. Kështu nuk zhvillohet demokracia, nuk zhvillohet vendi dhe asnjë segment tjetër vital i shtetit. Kështu nuk ndërtohet shteti i së drejtës e as shteti i drejtësisë sociale. Kombi e shteti kanë nevojë për një përfaqësim më të denjë, kudo ku përfaqësohet shteti. Përkundër kësaj, shumë përfaqësues politikë e të grupeve të tjera shoqërore (SHC) po kërkojnë ngritje karriere në dëm të shtetit e qytetarëve që i përfaqësojnë dhe kështu po e dëmtojnë shtetin e ri e të pakonsoliduar të Kosovës.
A e dinë ata njerëz, burra e gra qofshin, se ato prezantime që po i bëjnë në vend e jashtë tij nuk e nderojnë askënd dhe as veten e tyre?! Sidomos jashtë vendit as deputetët e as qeveritarët e ndryshëm nuk i përfaqësojnë partitë politike, por kombin e shtetin! Kujdes, paraja publike po ju dërgon në Bruksel e Strasburg etj., për t’i përfaqësuar denjësisht shtetin e kombin. Këto ditë në Strasburg patëm një përfaqësim me dinjitet nga deputeti i Nismës, Bilall Sherifi, por ai mbeti një zë i vetmuar. Por, gjithsesi një zë plot dinjitet! Përfaqësimi i vendit duhet të bëhet vetëm me një zë të unifikuar.
Kjo do të thotë se në Kosovë nuk ka parti ideologjike progresiste, që drejtohen nga liderë që synim parësor kanë politikën nacionale me parime politike, që qëllim kanë mirëqenien publike të shumicës qytetare. Parimet politike e programore, politikat ideologjike dhe reflektimi i atyre politikave në jetën e qytetarëve duhet të jenë qëllim parësor i politikëbërësve përfaqësues. Vetëm mbi bazën e këtyre politikave transparente qytetarët duhet t’ua japin besimin e tyre përfaqësuesve të zgjedhur.
Qëllimet egoiste, ngado që vijnë ato, nga lart apo poshtë, nga drejtuesit apo votuesit, nuk kanë shansin as më të voglin të sjellin zhvillim ekonomik e progres shoqëror. Dhe kështu, ndryshimet pozitive nuk mund të shihen as në horizont. Jo zgjidhjet e problemeve individuale (qofshin edhe ato të punësimit), por politikat e mira qeverisëse, qytetarëve u krijojnë perspektiva afatgjata për zhvillim, punësim e mirëqenie.
Gjithë historia jonë e lirisë dhe e pavarësisë (1999-2018) se deritashme po e konfirmon këtë. Të gjithë duhet ta dimë se pa u shkëputur njëherë e mirë nga politikat që na sollën këtu ku jemi dhe jemi keq, zhvillimi e progresi mbeten vetëm dëshira të mira. Dëshirat e mbetura vetëm në fjalë nuk i zgjidhin problemet e mëdha të grumbulluara ndër vite. Apo është duke na u përsëritur ajo që thotë Jens Reuter për feudalët shqiptarë të shekullit XIV , “që ishin në luftëra të vazhdueshme me njëri-tjetrin, ndiqnin vetëm e vetëm qëllimet e tyre të ngushta egoiste dhe nuk e ndienin veten aspak të detyruar ndaj interesit ‘shqiptar’ të përgjithshëm”. (Jens Reuter: “Shqiptarët në Jugosllavi”, “Botimpex”, Tiranë, 2003, f. 14). Atëherë ato politika, thotë autori, me ftesën e feudalëve që pranuan vasalitetin osman, sollën Perandorinë Osmane në Shqipëri. (Po aty) Ishin politikat e feudalëve shqiptarë të pas Pavarësisë (1912) (Toptani, Zogolli e kompani) që, për pushtetin e tyre personal, ndihmuan dhe pranuan copëtimin e Shqipërisë që ia bëri Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1913).
Histori të tilla të dhimbshme shpesh po na përsëriten. A kemi vullnet dhe kapacitet t’i sjellim ndryshimet që na duhen? Kështu si po veprojmë, kapacitetet e ndryshimit nuk ndërtohen. Shumëçka duhet ndryshuar në jetën tonë politike.