Përfaqësues të ATK-së marrin pjesë në takimin rajonal për Menaxhimin e Riskut të Përmbushjes (MRP)
Dy përfaqësues nga Administrata Tatimore e Kosovës, Sami Salihu dhe Agron Hamiti, janë duke marrë pjesë në takimin rajonal “Menaxhimi i Riskut të Përmbushjes (MRP) në Evropën Juglindore (EJL) – Komuniteti i Praktikës (CoP)” në Slloveni.
Ky aktivitet është duke u mbajtur në kuadër të programit të Departamentit për Çështje Fiskale për zhvillim të kapaciteteve për Reformën Fiskale në Evropën Juglindore (EJL), të financuar nga Komisioni Evropian dhe Sekretariati Zviceran për Çështje Ekonomike (SECO), i cili mbulon gjashtë vendet e EJL-së (Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë) në tri fusha të punës: menaxhimi i financave publike, administrimi i të ardhurave/të hyrave dhe politika tatimore.
Komuniteti i Praktikes (CoP) mbledh së bashku administratat tatimore të EJL-së për të kontribuar, konfirmuar dhe mësuar nga përvojat e tyre kolektive në zbatimin dhe funksionimin e proceseve të MRP-së si një mekanizëm për të përmirësuar përmbushjen e tatimpaguesve.
Përmirësimi i aftësive të pjesëmarrësve përfshin të kuptuarit e procesit të MRP-së, duke përfshirë përfitimet dhe kufizimet e tij; të kuptuarit e praktikave të mira/të këqija në zbatimin praktik të procesit të MRP-së; ofrimin e mundësisë që pjesëmarrësit të ndajnë njohuritë e tyre duke ndihmuar pjesëmarrësit të krijojnë bashkëpunim në mes tyre për të vazhduar CoP, që të sjellin vlerë për të gjitha administratat në rajon.