Përfaqësues të Bankës Botërore njoftohen me konceptin e qendrës së trajnimeve KOCME
Ekipi i Bankës Botërore për Forcimin e Sistemit të Mbrojtjes Sociale dhe të Punës në Kosovë dhe të Gjetjes së Zgjidhjeve për Papunësinë e të Rinjve, kanë vizituar Klubin e Prodhueseve në kuadër të misionit të tyre në Kosovë.
Gjatë vizitës përfaqësuesit e Bankës Botërore u njoftuan për perceptimet e biznesit në lidhje me nevojat e punësimit, si dhe iniciativën e Klubit të Prodhuesve për themelimin e qendrës së trajnimeve KOCME.
Klubi i Prodhuesve si një ndër organizatat më të rëndësishme të biznesit në Kosovë i njoftoi përfaqësuesit e Bankës Botërore se puna e Klubit përqendrohet në rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit të sektorit të prodhimit. Kështu Klubi së bashku me partnerët është duke punuar në krijimin e një programi të strukturuar për zhvillimin e aftësive të nevojshme të rinjve për t’u punësuar.
Qëllimi kryesor i KOCME-it do të jetë ngritja e kuadrove të reja profesionale për nevojat e kompanive në fushën e zhvillimit dhe trajnimit të aftësive të punonjësve, kërkimit dhe dizajnit të produkteve, konkurrencës në prodhim dhe inkuadrimit të praktikave më të mira globale në kuadër të mësim-nxënies.
Qendra e trajnimeve KOCME do të ndihmojë në krijimin e një mjedisi ku do të promovojë inovacion dhe do të luajë një rol të rëndësishëm në bërjen e Kosovës vend konkurrues për investime, me fokus në tërheqjen e investitorëve me potencial eksportues.
Aktualisht, sektori i prodhimit ka mungesë të thellë të punëtorëve të kualifikuar sidomos në teknologjinë e ushqimit, përpunimin e drurit dhe të metalit, si dhe në industrinë e tekstilit dhe atë të mekatronikës.
/Epoka e re/