Përfaqësues të diasporës nga 26 vende të ndryshme vizituan Mitrovicën
Përfaqësuesit e komunitetit të diasporës shqiptare nga 26 shtete të ndryshme kanë vizituar komunën e Mitrovicës, me ç’rast janë pritur edhe nga nënkryetari i komunës, Faruk Mujka dhe Nehat Bahtiri, shef i kabinetit të kryetarit të komunës, Agim Bahtiri.
Bashkatdhetarët tanë që jetojnë dhe veprojnë në shtete të ndryshme perëndimore kanë ardhur në Kosovë për të marrë pjesë në konferencën e parë “Diaspora flet” që është mbajtur në Prishtinë, në organizmi të OJQ “Germin”, ndërsa që në “Ditën e Komunave”, udhëhequr nga përfaqësuesja e OJQ “Germin”, kanë vizituar Mitrovicën, për të cilën ata kanë qenë më së shumti të interesuar.
Nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, ka thënë se mërgimtarët kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për Kosovën.
Ai ka theksuar se sot Mitrovica është një ndër qytetet më të sigurta të vendit. Sipas Mujkës, në këtë qytet ka rënë në mënyrë drastike krimi dhe dukuritë negative.
“Është rregulluar mjaftë mirë infrastruktura e brendshme e qytetit dhe në viset rurale, ndërsa që janë bërë hapa të mirë në krijimin e kushteve për zhvillim ekonomik”, ka thënë nënkryetari Mujka.
Gjatë qëndrimit në Mitrovicë, përfaqësuesit e diasporës shqiptare vizituan shëtitoren kryesore të qytetit, urën kryesore të Ibrit, fabrikën e kërpudhave në Gushafc dhe liqenin artificial në Suhadoll, për të cilin thanë se është një investim jashtëzakonisht i mirë dhe atraksion i vërtet për vizitorë.
/Epoka e re/