Përfaqësues të institucioneve e qytetarë nderojnë profesorin e ndjerë Shyqri Nimani
Sot në Amfiteatrin e ri të Teatrit Kombëtar të Kosovës, nën organizimin e Ministrisë së Kulturës janë mbajtur homazhe dhe mbledhja komemorative për profesorin e ndjerë, Shyqri Nimani.
Në këtë ceremoni lamtumirëse morën pjesë, presidentja, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendi të Kosovës, Glauk Konjufca, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, familjarë, pjesëtarë të komunitetit artistik, personalitete politike, qytetarë dhe miq.
Para të pranishmëve foli presidentja, Vjosa Osmani e cila nderoi jetën dhe veprën e Nimanit, ndërsa thekoi që ai do të kujtohet për jetë së bashku me deklaratën e pavarësisë të cilën e shkroi.
Ministri Çeku në fjalën e tij tha që profesor Nimani do të përkujtohet gjithmonë si njeri me plotë energji e plotë zell, i cili prapa vetes la shumë vepra, shumë gjurmë, jo vetëm në numër por edhe me shumë rëndësi.
Në emër të familjes fjalën e mori djali i të ndjerit, Alban Nimani i cili falënderoi të pranishmit për respektin dhe pjesëmarrjen e tyre në këtë ceremoni lamtumirëse ndërsa shtoi që si shoqëri duhet të kujdesemi për gjenerata që kanë mbetur, në mënyrë që të krijohen baza për brezat e ardhshëm.
Për jetën dhe veprën e Shyqri Nimanit folën edhe profesor Jusuf Buxhovi, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe bashkëpunëtori i të ndjerit, rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa.