Përfaqësues të më shumë se 60 vendeve do të takohen në konferencën për rindërtimin e Ukrainës
Zyrtarë nga më shumë se 60 vende dhe qindra krerë të kompanive të mëdha botërore, do të takohen në Londër javën e ardhshme për Konferencën e dytë Ndërkombëtare për Rindërtimin e Ukrainës, ka njoftuar qeveria britanike.
“Rindërtimi i ekonomisë ukrainase është po aq i rëndësishëm sa strategjia ushtarake”, njoftoi Downing Street të shtunën, transmeton Telegrafi.
Konferenca do të mbahet të mërkurën dhe të enjten. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të marrë pjesë përmes video lidhjes.
“Trimëria e Ukrainës në fushën e betejës duhet të shkojë paralelisht me vizionin e sektorit privat për të ndihmuar vendin të rindërtohet dhe rimëkëmbet”, tha qeveria britanike.
Konferenca e Londrës për rindërtimin e Ukrainës, në të cilën do të marrin pjesë edhe organizata joqeveritare, është e dyta që nga fillimi i luftës, pas asaj të vitit të kaluar në Lugano të Zvicrës.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe ministrja e Jashtme franceze, Catherine Colonna pritet të jenë mes liderëve politikë.