Përfaqësues të OAK-ut takojnë deputeten Kusari-Lila, diskutojnë për tema të ekonomisë
Përfaqësues nga Oda e Afarizmit të Kosovës (OEK) janë takuar të martën me deputeten e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari-Lila.
Qëllimi i takimit ishte njoftimi reciprok në mes të palëve, gjendja aktuale lidhur me problemet ligjore si Ligji i Punës, Pushimi i Lehonisë, Ligji për Miniera dhe Minerale, Sektori i Energjisë dhe çështje të tjera të cilat po ndikojnë në ngritjen ekonomike.
Zyrtarja e OAK-së, Rreze Cana, ka falënderuar deputeten Kusari-Lila për pritjen në takim duke prezantuar para saj problemet nëpër të cilat po kalojnë bizneset kosovare, të cilat kanë nevojë të domosdoshme për mbështetjen e tyre.
Anëtari i Bordit të OAK-ut, Hamdi Malushaj, ka njoftuar Kusari-Lilën më gjerësisht për klimën jo të favorshme të të bërit biznes në Kosovë, duke theksuar se problemet ligjore janë faktori kryesor në ngecjen e zhvillimit ekonomik në vend, si rezultat i mosharmonizimit të ligjeve me njëra-tjetrën dhe moszbatimit të tyre.
Një tjetër çështje me rëndësi e cila u diskutua në këtë takim ishte edhe pushimi i lehonisë, që ligji aktual po krijon pengesa në zhvillimin dhe avancimin e femrës, dhe faktin se shteti nuk është duke i trajtuar njëjtë gratë si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Për këtë fakt, përfaqësuesit e OAK-së kërkuan që deputetët të përkrahin kërkesën e bizneseve që shteti të marrë përsipër pushimin e lehonisë edhe në sektorin privat.
Në fund të takimit Malushaj ka kërkuar mbështetje në kërkesat e OAK-së, odë kjo e cila përfaqëson denjësisht bizneset, pa të cilat nuk ka zhvillim ekonomik të vendit.
Ndërsa deputetja Mimoza Kursari-Lila u shpreh e hapur për çdo bashkëpunim me OAK-në në të ardhmen.
/Epoka e re/