Përfaqësues të PSD-së takohen me socialdemokratët evropianë
Në kuadër të një vizite në Bruksel, kryetari i PSD-së Shpend Ahmeti, nënkryetari Visar Ymeri dhe shefi i Grupit Parlamentar Dardan Sejdiu, takuan eurodeputetë nga grupi socialist i Parlamentit Evropian.
Në takimin me eurodeputetin nga Gjermania dhe koordinatorin për punë të jashtme Knut Fleckenstein, eurodeputetin nga Rumania dhe nënkryetarin e PE-së Victor Boștinaru dhe eurodeputeten nga Sllovenia, Tanja Fajon, njëherësh raportuese e PE-së për liberalizim të vizave, përfaqësuesit e PSD-së njoftuan mbi zhvillimet politike dhe gjendjen aktuale në Kosovë, duke theksuar brishtësinë e qeverisë së tanishme.
Eurodeputetët u njoftuan tutje për orientimet ideologjike dhe programore të PSD-së, e cila angazhohet për drejtësi, barazi, zhvillim të qëndrueshëm dhe për një Republikë të qytetarëve, në të cilën do të tejkalohen ndasitë etnike.
Me theks të veçantë në këtë takim u bisedua edhe për dialogun me Serbinë dhe nevojën për mbikëqyrje parlamentare të këtij procesi që ka hyrë në fazën përfundimtare, me ç’rast u potencuan rreziqet serioze për integritetin dhe sovranitetin e Kosovës.
Ndërsa duke folur për liberalizimin e vizave, delegacioni nga PSD-ja ka theksuar rrezikun për zbehje të ndjenjës proevropiane në Kosovë nëse BE-ja nuk sjell rezultate konkrete në lidhje me premtimet e dhëna nga Komisioni Evropian në lidhje me këtë proces.
Deputetët evropianë shprehen mirëpritjen e tyre karshi krijimit të PSD-së, duke theksuar se Partia Socialiste Evropiane (PSE) ka qenë qe një kohë në kërkim të një partneri të besueshëm në Kosovë, me të cilin do të mund të punojë në terma afatgjatë.
/Epoka e re/