Përfaqësueset U17 dhe U19 mësojnë kundërshtarët
Në selinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës është hedhur shorti për Kampionatin Evropian 2018/2019 për përfaqësuesit U-17 dhe U-19 si dhe shorti për rrethin elitë për U-19 për Kampionatin Evropian Finlanda 2017-18.
Në tërheqjen e shortit morën pjesë Artan Govori, drejtor për marrëdhënie me jashtë dhe drejtor i ekipeve përfaqësuese dhe Michael Nees, drejtor teknik.
Në 13 grupet sa janë ndarë ekipet përfaqësuese U-17, Kosova gjendet në grupin e 5-të bashkë me Skocinë, Zvicrën dhe Qipron, ndërsa ndeshjet janë paraparë të zhvillohen prej 26 shtatorit deri më 1 tetor 2018 në Qipro.
Ndërkaq U-19 është në grupin e 7-të bashkë me Austrinë, Hungarinë dhe Slloveninë, ndërsa ndeshjet zhvillohen prej 10 deri më 16 tetor 2018 në Hungari. Meqenëse Përfaqësuesja e Kosovës U-19 ishte kualifikuar për rrethin elitë në ndeshjet parakualifikuese në Austri, shorti deshi që në rrethin elitë të përfshihet në grup me Portugalinë, Republikën e Irlandës dhe Sllovakinë, ndërsa ndeshjet do të zhvillohen prej 21 deri më 27 mars 2018, ku vetëm skuadra që e zë vendin e parë në grup kualifikohet për Kampionatin Evropian që do të zhvillohet në Finlandë prej 16 deri më 29 korrik 2018.