Përfaqësuesi i serbëve në Kroaci i këshillon serbët e Kosovës për Asociacionin: Mësoni nga gabimet tona
Serbët në Kosovë duhet të mësojnë nga gabimet e serbëve në Kroaci, ka thënë kryetari i Këshillit Popullor Serb përfaqësuesi i serbëve në Kroaci, Milorad Pupovac.
Ai tha se serbëve në Kroaci iu mundësohet vetëqeverisja, por në praktikë është reduktuar në nivelin e një organizate joqeveritare, pa financim të përcaktuar.
“Përvoja jonë në Kroaci është se kemi vetëqeverisje të pakicave, por statusi dhe pozita e tyre nuk janë të rregulluara në mënyrë adekuate në sistemin kroat. Kjo do të thotë se Këshilli i Përbashkët i Komunave, edhe pse vetëqeverisës, para së gjithash ka statusin formal të një organizate joqeveritare, megjithëse nuk ka marrëveshje ndërkombëtare, statuset e organizatave joqeveritare nuk janë të rregulluara”, ka thënë Pupovac për mediumin serb “Kosovo Online”.
Nga kjo, ai ka bërë thirrje që të marrin mësim serbët në Kosovë.
“Sipas kësaj, ato nuk mund të jenë organizata joqeveritare, por duhet të jenë diçka tjetër. Por, fatkeqësisht, kjo nuk është siguruar në Kroaci deri më sot. Ky duhet të jetë mësim për bashkatdhetarët tanë në Kosovë kur merret parasysh statusi i Asociacionit të komunave serbe. Ai status duhet të përcaktohet paraprakisht, se sigurisht që nuk duhet të jetë status i një organizate joqeveritare dhe se kushtet e financimit do të duhej të përcaktoheshin, kushtet e financimit varen nga rrethanat politike”, ka thënë Pupovac.
Ai ka thënë se nuk është reale të pritet që serbët në Kosovë të marrin një status të ngjashëm me atë të Republika Srpska-s në Bosnjë e Hercegovinë.
“Sa i përket krahasimit me Republika Srpska, si entitet brenda BeH-së, ato krahasime janë të tilla që nuk marrin parasysh specifikat e pozitës së serbëve në Kosovë dhe marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Nuk është reale që statusi i serbëve në Kosovë të jetë i njëjtë me statusin e serbëve të Republika Srpska për një sërë arsyesh, nga shpërndarja dhe shtrirja e vetë komunitetit serb në territorin e Kosovës”, ka thënë Pupovac.