Përfaqësuesit e bizneseve pajtohen që dita e diel të jetë ditë pushimi në Mitrovicë
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, së bashku me nënkryetarin Faruk Mujka, dhe drejtorin e Inspekcionit, Fidan Ademi, kanë pritur në takim përfaqësuesit e bizneseve që operojnë në qytetin e Mitrovicës. Në këtë takim është biseduar lidhur me vendimin e marrë nga Kuvendi Komunal për rikthimin e ditës së diel si ditë pune për bizneset në Mitrovicë.
Fillimisht, kryetari Bahtiri ka falënderuar përfaqësuesit në fjalë për pjesëmarrjen në këtë takim, duke thënë se me vullnetin dhe kërkesat e tyre të njëpasnjëshme drejtuar komunës vitin e kaluar është vendosur që dita e diel të jetë ditë pushimi për bizneset në Mitrovicë.
Ai ka thënë se kjo është bërë me qëllim që të mbështetën pronarët dhe punëtorët e angazhuar në këto biznese.
“Mirëpo partitë opozitare në Kuvendin Komunal kanë miratuar një vendim për rikthimin e ditës së diel si ditë pune për bizneset, ligjshmëria e të cilit vendim është konfirmuar edhe nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë Siç e dini edhe ju, që nga ardhja ime si kryetar komune çdo herë kam mbështetur njerëzit e biznesit, dhe në bashkëpunim me ju, duke i marrë parasysh kërkesat tuaja të vazhdueshme, kemi marrë vendim që Komuna e Mitrovicës të funksionoj me rregulla evropiane ku dita e diele të jetë ditë pushimi për të gjithë bizneset, me qëllimin e vetëm që punëtorët por edhe pronarët e bizneseve të kenë një ditë pushimi, ku mund të kalojnë kohën me familjet e tyre dhe të kenë një trajtim më të mirë”, ka thënë Bahtiri.
Po ashtu kryetari Bahtiri ka potencuar se mosrespektimi i këtij vendimi nga ana e tij rezulton me shkelje ligjore gjë të cilën ai nuk e dëshiron, pasi është i përkushtuar në respektimin e të gjitha ligjeve të Republikës së Kosovës.
Mirëpo, ai ka thënë se do të mundohet t’iu ndihmoj njerëzve të biznesit të cilët janë pro që dita e diel të jetë prapë ditë pushimi.
Ndërsa përfaqësuesit e bizneseve të pranishëm në takim janë shprehur unanimisht që dita e diel të jetë ditë pushimi për bizneset në Mitrovicë, në mënyrë që kjo komunë të jetë shembull dhe model për komunat e tjera për nga organizimi dhe funksionimi i mirë i tyre.