Përfaqësuesit e institucioneve urojnë qytetarët e krishterë për Krishtlindje

24 dhjetor 2020 | 18:14

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka uruar besimtarët katolikë për kremtimin e Krishtlindjes. Ai ka thënë se tradita dymijëvjeçare e krishterimit ndër shqiptarë është faktor përcaktues në karakterin tonë unik kulturor dhe shpirtëror.

“Ne jemi shembull i mirëkuptimit dhe i harmonisë në diversitet. Historia na ka përcaktuar që ne të kemi besime të ndryshme, por kjo asnjëherë nuk na ka penguar që ta duam edhe më shumë njëri-tjetrin, që t’i kremtojmë bashkë të gjitha festat tona. Në këtë festë të veçantë, ne kujtojmë me krenari se paraardhësit tanë iliro-dardanë dhanë martirët e parë të krishterimit në këtë pjesë të Evropës, Shën Florin dhe Shën Laurin. Nëpërmjet Shën Jeronimit ne i dhamë botës perëndimore mesazhin e Ungjillit, ndërsa Selia e Shenjtë disa herë u udhëhoq nga papët iliro-shqiptarë. Në kohët më të vona, kombi ynë i dha gjithë njerëzimit një model të dashurisë, mëshirës dhe urtësisë – Shën Nënë Terezën”, ka thënë Hoti në urimin e tij.

Edhe myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, ka uruar ipeshkvin Dodë Gjergji me rastin e festës së Kërshëndellave.

“Më lejoni që me respekt t’ju drejtohem me mesazh urimi dhe përgëzimi Juve, meshtarëve, si dhe të gjithë vëllezërve të krishterë, duke ju dëshiruar shëndet, mbarësi dhe lumturi. Megjithëqë, vit e kohë pandemie, fesat fetare te ne si gjithherë, edhe me këtë rast paraqesin momentin e ndërgjegjësimit për bashkim, respekt, dashuri dhe solidaritet. Kërshëndella është moment i veçantë që simbolizon lindjen, jetën dhe mbarësinë. Po ashtu, kjo festë përçon në mënyrën më të mirë mesazhin e tolerancës, mbarësisë dhe humanizmit, vlera këto që na duhen për një të ardhme më të mirë për njerëzimin. Zotni Ipeshkëv, nëpërmjet jush uroj e përgëzoj edhe të gjithë praninë ndërkombëtare katolike në Kosovë. Duke ju përshëndetur, ju dëshiroj shëndet, mbarësi e lumturi!”, ka uruar Tërnava.

Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka uruar për Krishtlindje. “Uroj të gjithë shtetasit e huaj që shërbejnë në Kosovë, familjet dhe bashkëkombësit e tyre! Uroj posaçërisht Papa Françeskun me bashkëpunëtorë. I lutemi Atit të Shenjtë që të lutet për Kosovën dhe popullin e saj, me shpresë të njohjes për Kosovën nga Selia e Shenjtë. Paqe, begati, shëndet dhe harmoni për të gjithë!”, ka shkruar Haradinaj në urimin e tij.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rektori i Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”, Artan Nimani dhe…