Përfaqësuesit e kolegjit “Mehmet Akif” po mbahen në Qendrën e Policisë Kufitare
Përfaqësuesi i kolegjit “Mehmet Akif”, Alush Ergini ka bërë me dije për “klankosova.tv” se pesë zyrtarët e arrestuar të këtij institucioni janë duke u mbajtur në ndalim në Qendrën e Policisë Kufitare.
Ergini ishte prezent kur është arrestuar drejtori gjeneral i “Mehmet Akif”, Mustafa Erden, në afërsi të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve.
“Arrestimi ishte i befasishëm. Nuk ka pasur mundësi komunikimi dhe nuk është bërë e ditur arsyeja e arrestimit”, ka thënë Ergini.
Mëngjesin e sotëm në mënyrë të befasishme janë arrestuar drejtori gjeneral i “Mehmet Akif”, Mustafa Erden dhe zëvendësdrejtori Yusuf Karabima.
Veç udhëheqësve të këtij institucioni në këtë aksion policor janë arrestuar edhe dy profesorë Cihen Ozkan dhe Hasan H. Gunakan si dhe drejtori i Kolegjit në Gjilan, Kahraman Demirez.