
Përfaqësuesit e LDK-së takojnë zv/presidentin e PE-së, flasin për dialogun me Serbinë
Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti dhe kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme Vjosa Osmani sot takuan zëvendëspresidentin e PE-së Rainer Wieland së bashku me 20 përfaqësues senior të CDU-së.
Avdullah Hoti në cilësinë e kryetarit të Grupit Parlamentar të LDK-së ka falënderuar Wieland dhe të pranishmit për angazhimin e tyre dhe mbështetjen e vazhdueshme në shtet ndërtimin e Kosovës.
Në takim u diskutua për sfidat e brendshme të Kosovës në tema të ndryshme si sundimi i ligjit dhe për çështje që lidhen me politikën e jashtme siç është dialogu me Serbinë.
Në fund të takimit Wieland ka falënderuar Hoti për takimin si dhe ka theksuar edhe një herë se LDK-ja mbetet partneri me kredibil për procesin e integrimit euroatlantik të vendit tonë.