Përfaqësuesit e Luginës kërkojnë sërish përfshirjen në dialogun Kosovë-Serbi
Përfaqësuesit politikë dhe institucionalë shqiptarë kanë kërkuar përsëri përfshirjen zyrtare të çështjes së Luginës së Preshevës në dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel.
Siç është thënë në një reagim të deputetit të vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, të drejtat e pakicave kërkojnë trajtim të barabartë.
Lidhur me këtë, përfaqësuesit shqiptarë të Luginës së Preshevës, bashkërisht kanë nënshkruar një deklaratë, nga e cila rezultojnë disa kërkesa drejtë ndërkombëtarëve.
“Të drejtat e pakicave kërkojnë trajtim të barabartë. Rrugëtimi i vendeve të rajonit drejtë BE-së bëhet më i lehtë vetëm nëse pakicat trajtohen në mënyrën e merituar e në përputhje me standardet evropiane. Shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk guxojnë të mbeten pakica e vetme e cila, përtej përpjekjeve politike shumëvjeçare, vazhdon të stagnojë në realizimin e të drejtave të saja. Prandaj na duhet angazhim i përbashkët e koordinim i shpeshtuar në mënyrë që çështja e Luginës të trajtohet e të drejtat e shqiptarëve të realizohen në tërësi. Dialogu Kosovë -Serbi është mundësia më e mirë që kjo temë të trajtohet”, është thënë në deklaratë.