Përfaqësuesit e odave kërkojnë të mos ndalet prodhimi

15 mars 2020 | 10:37

Oda Ekonomike e Kosovës, ajo Ekonomike Amerikane në Kosovë, ajo e Afarizmit, Klubi i Prodhuesve dhe Shoqata e Kontabilistëve dhe Auditorëve, në një konferencë për media kanë prezantuar kërkesat e komunitetit të biznesit karshi masave të marra nga Qeveria e Kosovës për përballje me Coronavirusin.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se pika kryesore është që të mos ndalet prodhimi, duke u bërë apel punëtorëve të veprimtarive që s’janë të ndaluara me vendim të qeverisë, të dalin në vendet e tyre të punës, duke qenë të vëmendshëm me masat parandaluese.

“Po i referohem pikës që kompanitë t’i organizojnë punët në atë mënyrë që disa punë t’i kryejnë nga shtëpia. Kemi pasur refuzim të madh të punëtorëve që kanë refuzuar të dalin në punë. Inspektorët kanë mbyllur IPKO-n dhe disa kompani të tjera në Ferizaj e Prizren. Kjo pikë e vendimit ka krijuar konfuzion dhe krejt ajo ndërprerje e punës e rrezikon furnizimin. Edhe në KEDS ka pasur problem. Ne duhet ta kuptojmë, se kujdesi është i domosdoshëm, por nuk ndalet prodhimi sepse e rrezikon furnizimin në këtë kohë të krizës. Apeli është, punëtorët në ato lloj veprimtari që nuk janë të ndaluar duhet të dalin në punë. Është shkelje e ligjit që inspektorët nuk i ndalojnë veprimtaritë e caktuara. Virusi do të kalojë, po pastaj shumë pasoja të tjera janë të pariparueshme”, tha Rukiqi.

Ai ka treguar tri kërkesat që i kanë paraqitur në Qeverinë e Kosovës. “E para është shtyrja ose riprogramimi i kredive që të mos ketë presion te bizneset ose qytetarët. E dyta, është shtyrja e raportimit financiar. E treta, lidhet me këtë qartësimin ose me një qarkore që do ta japë një sqarim për masat e ndërmarra, siç është lirimi i njërit prind nda puna”, tha ai.

Ai tha se kanë propozuar edhe një pako mbështetëse për bizneset. “Kërkesat për miell i kanë tejkaluar të gjitha pritjet. Ende ka stoqe, por furnizimi është i vështirësuar. Intensiteti i kërkesës me atë që mund të furnizohet është. Kemi kërkuar të aktivizohen rezervat e shtetit”, tha ai.

Kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, tha se qeveria duhet të krijojë pako për mbështetje të bizneseve. “Të gjitha kërkesat i kemi dërguar qeverisë, por ende nuk ka reaguar. Sot i kemi tri komuna në karantinë, nesër mund t’i kemi të gjitha. Qeveria duhet të lëshojë leje të posaçme për sektorët e caktuar. Qeveria duhet të krijojë pako për mbështetje të bizneseve. Furnizimi i qytetarëve është siguri nacionale. Po shpresojmë që qeveria do të reagojë. Ne kërkojmë prej qeverisë që të na përkrahë më shumë dhe asnjë vendim të mos e marrë pa u konsultuar me neve”, tha ai.

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka ftuar qeverinë që t’i ketë parasysh kërkesat e biznesit. “Kishim pas dëshirë që edhe institucionet e tjera të jenë të koordinuara aq sa jemi ne. Qeveria duhet të dalë me një fushatë të gjerë për shmangien e panikut. Duhet të tregojë se ekziston një rrezik nga kjo pandemi, por jo deri në atë masë. Dje i kemi kontaktuar anëtarët tanë, ku janë disa shërbime që nuk mund të kryhen nga shtëpia. E ftojmë qeverinë që të ketë parasysh kërkesat e biznesit”, tha ai.

Drejtoresha e Shoqatës së Kontabilistëve të Certifikuar, Ardiana Bunjaku, tha se kërkojnë që të shtyhet afati për raportim financiar. “Ne si shoqatë përfaqësojmë 7 000 profesionistë dhe kërkesa ishte që të shtyhet afati për raportim financiar. Me mosdaljen e punëtorëve do të kemi probleme në përgatitjen e raporteve financiare. Unë kërkoj nga qeveria që ta shtyjë afatin, meqë afatet tani më janë shumë të shkurtra. Kjo do t’i ndihmojë bizneset”, tha ajo. /KP/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka reaguar…