Përfaqësuesit e SBASHK-ut kërkojnë të implementohet Ligji i pagave

30 nëntor 2021 | 17:23

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla me anëtarë të kabinetit të tij dhe ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, është takuar me kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj dhe koordinatorin për organizim të brendshëm, Ymer Ymeri.

Përfaqësuesit e SBASHK-ut në këtë takim kanë thënë se kanë bërë shumë përpjekje për të nisur takimet e sindikatës me përfaqësues të institucioneve me qëllim që të marrin informacione nga dora e parë lidhur me fatin e Ligjit të pagave.

Ata kanë theksuar se i gëzohen këtij takimi me ministrin Sveçla, ministria e të cilit edhe është sponzorizuese e Ligjit të pagave.

Përfaqësuesit e SBASHK-ut kanë përcjell shqetësimet e anëtarësisë duke kujtuar se në mungesë të dialogut, për një kohë të gjatë kërkesat ishin që të fillohet me veprime sindikale.

Përfaqësuesit e SBASHK-ut kanë kërkuar nga ministri Sveçla e ministrja Nagavci që të angazhohen që në Ligjin e buxhetit të caktohen mjete buxhetore që do ta mundësonin implementimin e Ligjit të pagave.

Ndërkaq ministri Sveçla u ka thënë përfaqësuesve të SBASHK-ut se është duke u punuar në Ligjin e pagave dhe se është menduar se faza fillestare do të kryhej më herët, por është parë se duhet pasur kujdes të shtuar në mënyrë që të mos bëhen prapë lëshime, të cilat do të ndikonin që edhe pas votimit të parlament, Kushtetuesja të gjente lëshime dhe ta kthente prapë ligjin, gjendje kjo që do të shtonte pakënaqësitë te palët.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Çmimi i naftës për disa ditë me radhë është duke…