Përfaqësuesit e Speciales thonë se janë marrë masa mbrojtëse për dëshmitarët
Nëpërmjet platformës online “Zoom”, shefja e informimit dhe komunikimit publik në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), Angela Griep, ka dhënë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.
Gjatë konferencës për media të mbajtur të enjten, Griepi ka thënë se janë marrë masa mbrojtëse për të gjithë dëshmitarët që janë duke u dëgjuar në rastin e Salih Mustafës, siç është shtrembërimi i pamjes së fytyrës dhe zërit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjithashtu, ajo ka përmendur vendimin e të akuzuarit Salih Mustafa për të mos marrë pjesë fizikisht gjatë seancave.
Lidhur me këtë, Griepi ka thënë se me vendim të gjykatës, i njëjti duhet të paraqitet kur prezenca e tij fizike konsiderohet e domosdoshme apo kur rregullat e kërkojnë një gjë të tillë.
Ndërsa lidhur me rastin e të akuzuarit Pjetër Shala, Griepi ka thënë se gjatë konferencës së tretë mbi ecurinë e çështjes gjykata ka urdhëruar Zyrën e Prokurorit të Special (ZPS) që dosjen paragjyqësore dhe materialet tjera t’i dorëzojë deri më 28 janar 2022.
Në këtë konferencë është përmendur edhe rasti i Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, gjykimi ndaj të cilëve është bërë me dije se pritet të fillojë më 7 tetor 2021.
Kurse për rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit është bërë me dije se konferenca e ardhshme statutore do të mbahet në fund të tetorit.