Përfaqësuesit e UGJFA-së në krye me Rektorin Nimani vizituan ambasadën e Shqipërisë në Tel Aviv
Në ambientet e Ambasadës së Shqipërisë në Tel Aviv, ambasadori Bardhyl Canaj mirëpriti përfaqësuesit e Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani” të kryesuar nga Rektori Prof. Ass. Dr. Artan Nimani, së bashku me Prorektoren për Çështje Akademike dhe Ngritje të Cilësisë, Prof. Ass. Dr. Vjollca Dibra, Sekretaren e Përgjithshme, Linda Dula Halilabazi dhe zyrtarin për marrëdhënie me jashtë Denis Spahija.
Gjate takimit, u vlerësuan kontaktet e përbashkëta akademike të vendosura me universitetet izraelite, Tel Aviv University dhe Bar-Ilan University, universitete prestigjioze dhe me përvojë të madhe në fushën e kërkimit shkencor. Një iniciative e tillë bashkëpunimi në fushën akademike, pritet të sjellë në të ardhmen programe shkëmbimi kurrikulash, mobilitet studentësh dhe stafit akademik, si dhe marrëveshje mirëkuptimi mes palëve për të intensifikuar shkëmbimet e njohurive në fushat e përbashkëta me interes, si mjekësia, energjia e ripërtritshme, inovacioni etj.
Ambasador Canaj, ofroi mbështetjen e tij për intensifikimin e kontakteve dhe arritjen e marrëveshjeve të mësipërme.