Përfaqësuesja e Ministrisë së Mbrojtjes të Norvegjisë viziton Ministrinë e FSK-së
Ministri i Forcës së Sigurisë të Kosovës, Rrustem Berisha, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe sekretari i përgjithshëm i MFSK-së, Shkelzen Sylaj, kanë pritur të martën në takime të ndara, përfaqësuesen e Ministrisë së Mbrojtjes të Mbretërisë së Norvegjisë, Annette Hurum të shoqëruar edhe nga ambasadori i Norvegjisë i akredituar në Kosovë, Per Sjaastad.
Në takimin që zhvilluan ministri Berisha dhe Hurum, biseduan për marrëdhëniet e mira ndërmjet dy ministrive, për rolin e Ministrisë së Mbrojtjes të Norvegjisë në përgatitjen dhe implementimin e Planit të Integritetit për MFSK-në, për procesin aktual nëpër të cilin po kalon FSK-ja si dhe për planet e FSK-së në të ardhmen.
Ndërsa komandanti i FSK-së dhe sekretarit të përgjithshëm i MFSK-së, në takimet që zhvilluan me përfaqësuesit e shtetit norvegjez nga Ministria e Mbrojtjes dhe ambasada në Prishtinë, kryesisht biseduan për vazhdimin e projekteve të bashkëpunimit dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet MFSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Norvegjisë.
/Epoka e re/