Përfaqësuesja U15 në proces të filtrimit të talenteve
Kombëtarja e Kosovës U15 është në rrugëtimin e saj për të zbuluar dhe zhvilluar talentet e reja të futbollit në vend.
Përzgjedhësi i Kombëtares U15, Ilir Nallbani, së bashku me stafin e tij, është duke bërë një hulumtim të thellë në mesin e lojtarëve të gjeneratës 2009 që janë pjesë e projektit ‘Elite Youth Development Programme U15’.
Në grumbullimin e radhës treditor, Nallbani dhe stafi i tij janë angazhuar në vlerësimin e këtyre të futbollistëve të talentuar, të cilët janë përzgjedhur me kujdes nga aktiviteti i deritashëm i projektit, i cili ka përfshirë shtatë Lidhjet Rajonale të Futbollit. Nallbani dhe stafi i tij kanë një qëllim të qartë – të filtrojnë dhe të identifikojnë talentet më të spikatura për të ndërtuar një ekip kompakt në Kombëtaren U15.
Fillimisht, projekti nisi me më shumë se 600 futbollistë, derisa pas një seleksionimi të kujdesshëm, aktualisht në ekipet përzgjedhëse të rajoneve janë rreth 180 futbollistë të cilët do të vazhdojnë konkurrencën për një vend në Kombëtaren U15.
Në muajin tetor, Nallbani dhe stafi i tij pritet të kenë një listë të përfunduar prej 25 futbollistëve më të dalluar. Këta talent të rinj do të përfaqësojnë Kosovën në një turne ndërkombëtar që do të zhvillohet në Tiranë në fund të tetorit.
Përgjegjësi i projektit, Edmond Rugova, ka ndjekur këtë proces të filtrimit të talenteve, duke siguruar që vetëm lojtarët më të mirë të zgjidhen për përfaqësimin kombëtar.