Përfshihet nga zjarri arkivi i stacionit policor në Drenas
Është kapluar nga flakët arkiva e Stacionit Policor në Drenas, ndërsa deri më tani shkaqet janë të panjohura.
Lajmin e ka konfirmuar policia nga rajoni i Prishtinës, teksa kanë bërë me dije se zjarri është lokalizuar dhe policia ka filluar punën për evidentimin e dëmeve.
“Rreth orës 13:00 është vërejtur një tym në zyrën e arkivit të stacionit policor në Drenas. Nga ana e zyrtarëve policor që kanë vërejtur tymin janë përdorur aparatet për shuarjen e zjarrit dhe njëkohësisht janë ftuar edhe zjarrfikësit. Zjarri është lokalizuar dhe policia ka filluar punën për evidentimin e dëmeve që janë shkaktuar, si dhe po analizon rrethanat që karakterizojnë ngjarjen me qëllim ndriçimin e shkaqeve të zjarrit”, është thënë në njoftimin e policisë.
Gjithashtu, në vendngjarje ka dalë edhe ekipi i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK).