Përfshihet nga zjarri Spitali i Pejës
Rreth orës 4 të mëngjesit zjarri ka përfshirë një nga dhomat e Spitalit të Përgjithshëm në Pejë.
Lajmin është bërë i ditur nga vet Spitali.
Sipas njoftimit zyrtar, zjarri ka rënë në katin e katërt, si pasojë e një defekti në sistemin elektrik.
“Mbrëmë rreth orës 4 të mëngjesit të sotëm ka pasur një zjarr në katin e IV-të, të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë. Pjesëtarët e sigurimit kanë intervenuar menjëherë në shuarjen e zjarrit dhe po ashtu janë njoftuar Policia dhe Zjarrfikësit. Dyshohet se zjarri është shkaktuar si pasojë e një defekti në sistemin elektrik.
Me intervenimin e shpejtë është ndalur përhapja e zjarrit, por një dhomë ku kanë qenë pajisjet e Teknologjisë Informative është djegur dhe tani jemi në proces të konstatimit të dëmit”.
Tutje në njoftim thuhet se shërbimet ndaj pacientëve kanë vazhduar dhe po vazhdojnë të jepen si gjithnjë dhe puna po vazhdon normalisht.
“Sa i përket data bazës dhe të dhënave tjera të gjitha janë të ruajtura ngase janë të lidhura me sisteme tjera informative dhe asnjë e dhënë apo data bazë nuk është humbur.
Shërbimet ndaj pacientëve kanë vazhduar dhe po vazhdojnë të jepen si gjithnjë dhe puna po vazhdon normalisht, ndërsa ekipet e shërbimeve teknike janë duke u marrë me pastrimin dhe riparimet e nevojshme në dhomën e djegur dhe ambientet tjera të katit të IV të bllokut Kirurgjik”.