Përfshirja problematike e Listës Serbe në qeveri
Përfshirja e përfaqësuesit të komunitetit serb në Qeverinë e ardhshme të Kosovës, do të jetë mjaft problematike jo vetëm për pretendentin kryesor për kryeministër të Kosovës, Albin Kurtin, por edhe për Listën Serbe, e cila ka fituar 10 ulëse në Kuvendin e Kosovës, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike, shqiptarë dhe serbë.
Kurti, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, subjekt ky politik i cili ka fituar numrin më të madh të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 6 tetor, ka deklaruar se Lista Serbe nuk do të përfshihet në koalicion qeverisës, të cilin Lëvizja Vetëvendosje e synon me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Por, ai po ashtu ka theksuar që do ta respektojë Kushtetutën e Kosovës. Kjo e fundit, i garanton përfaqësuesve të komunitetit pakicë serb në Kuvendin e Kosovës, që ta kenë një ministri në Qeverinë e Kosovës, në rast se ekzekutivi do të ketë 12 ministri.
Politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se tashmë është krijuar një situatë, ku Lista Serbe, e cila ka fituar 10 ulëse në Kuvendin e Kosovës, është kundër një qeverie që do t’i printe Albin Kurti, ndërkaq që ky i fundit nuk pajtohet me programin e Listës Serbe, e cila i përfaqëson interesat e Serbisë.
Sipas tij, kompromisi në këtë situatë duhet gjetur ndërmjet asaj se a do të dëshironte Kurti që me kabinetin qeveritar të prezantonte edhe emrin e personit që do të përfaqësonte komunitetin serb të Kosovës, por që do të ishte i propozuar nga Lista Serbe apo do të dëshironte që ta ketë një propozim të vetin për dikë që e përfaqëson komunitetin serb, por jo domosdo politikën e Listës Serbe.
“Me rëndësi është që vetëm votat e deputetëve serbë e përcaktojnë emrin konkret të këtij ministri. Nëse, megjithatë, Lista Serbe e nxjerr kandidatin e vet, që e miraton me Albin Kurtin, kjo do të thotë se ajo do të ketë anëtar në qeveri, por nuk do të jetë partner i koalicionit, sepse ana programore e parandalon, të themi, koalicionin me Listën Serbe. Në këtë bazë, Lista Serbe mbetet në opozitë ose herë pas here e përkrahë qeverinë, por nuk është partner i koalicionit në qeverinë e Kurtit”, tha Tahiri.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në këtë link:
https://www.evropaelire.org/a/lista-serbe-perfshirja-qeveria-e-kosoves-/30289453.html