Përfshirja “qëllimkeqe” e Rusisë në dialogun Kosovë – Serbi
Në kohën kur është paralajmëruar t’u jepet intensitet veprimeve për rinisjen e dialogut Kosovë-Serbi, është aktivizuar edhe Rusia, duke rikujtuar se pa mbështetjen e tyre një marrëveshje eventuale nuk do të mund të miratohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Përfshirjen e Moskës e kanë mirëpritur edhe zyrtarë të administratës Trump, të cilët merren me dialogun Kosovë-Serbi.
Eksperti amerikan për çështjen e Ballkanit, Daniel Serwer, i sheh me dyshim paralajmërimet e zyrtarëve të Rusisë se mund të përfshihen në dialog. Sipas tij, rusët janë të interesuar për zgjidhje territoriale, të cilat do t’i përdornin si pretekst për t’i legjitimuar aneksimet e tyre, shkruan KOHA.
“Rusia duhet të përfshihet vetëm nëse Prishtina pajtohet, dhe kjo nuk duhet të ndodhë përderisa Rusia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran brenda kufijve aktualë. Është e qartë se Rusia po kërkon një zgjidhje territoriale që do t’i ndihmojë në justifikimin e aneksimit të Krimesë dhe krijimin e shteteve kukulla në Osetinë e Jugut, Abhazi dhe Transnistri”, ka thënë Serweri për KOHËN.
Përfshirja eventuale e Rusisë nuk paraqet problem për Shtetet e Bashkuara. Dick Custin, zëdhënës i të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, ka thënë se çdokush që ndihmon me ide për stabilitet, paqe dhe prosperitet në Kosovë e Serbi, është i mirëseardhur.