Përfshirjen e presidentit në dialog duhet ta shohim si avantazh për vendin
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Zenun Pajaziti, ka bërë me dije se ky subjekt politik e përkrah një platformë nga e cila del një ekip i përbashkët për dialogun me Serbinë.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se e mirëpret gatishmërinë e PSD-së për dialogun, por ka theksuar se çdo tendencë për ta penguar rolin kushtetues të secilit, qoftë edhe të presidentit të vendit, do të dështojë.
Pajaziti ka thënë se përfshirja e presidentit me përgjegjësit e tij kushtetuese që ka duhet parë si avantazh për Kosovën, e jo të luftohet. Sipas tij, presidenti Thaçi është një prej protagonistëve kryesor në të gjitha proceset që ka kaluar Kosova.
“Nëse dikush kalkulon me përjashtime ose me tendencën që nëpërmjet këtij procesi ta përjashtojë dikë, PDK-ja nuk është pro kësaj. PDK-ja është për përfshirjen e të gjithëve në vendimmarrje”, ka thënë Pajaziti
“Epoka e re”: Z. Pajaziti, dy partitë e tjera të koalicionit qeverisës, AAK-ja dhe Nisma, kanë shprehur gatishmëri për ta përkrahur rezolutën dhe projektligjin e PSD-së për dialogun Kosovë – Serbi. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) do t’i përkrahë këto dy dokumente?
Pajaziti: Partia Demokratike e Kosovës ka qenë dhe mbetet partia kryesore dhe insistuese që të ketë një platformë të përbashkët dhe një ekip të përbashkët për dialogun. Rrjedhimisht kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka pasur disa përpjekje të përsëritura për t’i ulur bashkë të gjithë faktorët politikë në Kosovë, në mënyrë që të dalim sa më unikë në procesin e dialogut me Serbinë. Duke mbetur konsistentë në këtë ide, çdo iniciativë tjetër që vjen në këtë drejtim, PDK-ja e mirëpret dhe është e gatshme që të ulet t’i shqyrtojë në mënyrë që të jenë sa më gjithëpërfshirëse dhe në funksion të ecjes përpara. Pra, pavarësisht prej mosgatishmërisë së opozitës që ta pranojë idenë tonë për një platformë dhe ekip të përbashkët, ne jemi për t’i trajtuar të gjitha iniciativat që çojnë në drejtim të krijimit të një mekanizmi gjithëpërfshirës për dialogun.
“Epoka e re”: Nuk e përjashtoni mundësinë që t’i mbështesni këto dy dokumente?
Pajaziti: Parapëlqejmë që në këto nisma dhe ide të përfshihet i gjithë spektri politik dhe PDK-ja është e hapur në këtë drejtim, pra që të ulen të gjithë dhe të nxjerrin një dokument të përbashkët dhe një ekip të përbashkët.
“Epoka e re”: Çka është e pranueshme dhe çka e papranueshme për ju në këto dy dokumente?
Pajaziti: Nuk është se kemi marrë një qëndrim të caktuar. Për neve është e pranueshme të kemi vullnet të mirë dhe një platformë të përbashkët, në të cilën duhet të jetë i përfshirë i gjithë spektri politik në vend.
“Epoka e re”: Me anë të kësaj rezolute dhe këtij projektligji parashihet kufizimi i presidentit për t’i udhëhequr bisedimet e Brukselit. Është PDK-ja e gatshme që ta kufizojë Thaçin në këtë aspekt?
Pajaziti: Kemi qenë të qartë gjatë gjithë kohës se këto procese nuk duhet t’i ngatërrojmë me individët dhe udhëheqës të institucioneve apo partive politike. Në këtë drejtim jemi të vendosur që të mos lejojmë që proceset e tilla të kenë tendenca përjashtuese ose qërim hesapesh të brendshme, aq më tepër kur kemi të bëjmë me institucione të rëndësishme dhe me personalitete që kanë përgjegjësi kushtetuese në proces. Rrjedhimisht, nëse dikush ka tendenca të tilla, me siguri se PDK-ja nuk do të lejojë përjashtime ose tendenca përjashtuese në kohën kur ne duhet të jemi të gjithë bashkë dhe në kohën kur ne kemi nevojë që personalitete dhe institucione të rëndësishme kredibile të jenë të përfshira. Në rastin konkret, mendoj se askush nuk duhet të tentojë dhe të llogarisë që të bëjë llogari të tilla dhe aq më tepër kur kemi të bëjmë me personalitetin e presidentit i cili, përveçse është president i vendit, është një prej protagonistëve kryesor në të gjitha proceset. Pra, përfshirjen e tij me përgjegjësit e tij kushtetuese që i ka ne duhet ta shohim avantazh për vendin, e jo diçka që duhet të luftohet. PDK-ja e ka qëndrimin e qartë në këtë drejtim: Nëse dikush kalkulon me përjashtime ose me tendencën që përmes këtij procesi ta përjashtojë dikë, gjithsesi PDK-ja nuk është pro kësaj. PDK-ja është për përfshirjen e të gjithëve në vendimmarrje, të gjithë atyre që kanë përgjegjësi kushtetuese dhe politike në këtë vend. Përveç presidentit që e ka rolin e vet, parapëlqejmë të jenë të përfshirë edhe partitë opozitare.
“Epoka e re”: Përderisa LDK-ja dhe Vetëvendosje janë kategorikisht kundër, PSD-ja ka shprehur të jetë pjesë e këtij procesi, por me kushtin që presidenti Thaçi të jetë i kufizuar. Mund të dështojë kjo përpjekje meqë ju nuk jeni të gatshëm për këtë lloj kufizimi?
Pajaziti: Propozimi i PSD-së është i mirë dhe nuk do të duhej të dështonte. Ata që rrinë anash duke i fërkuar duart se kanë një mundësi për ta përjashtuar dikë duhet të dinë qysh tash se nuk ka shpresë dhe nuk duhet të tentojë dikush ta devalvojë idenë e mirë të PSD-së që të kontribuojë pozitivisht në proces. Ne e trajtojmë me respektin dhe seriozitetin më të madh idenë e PSD-së.
“Epoka e re”: Ju po e konsideroni të mirë këtë ide, në të njëjtën kohë po thoni se nuk jeni për kufizime, edhe pse rezoluta e PSD-së e parasheh një gjë të tillë.
Pajaziti: Po e përsëris, çdo tendencë për ta penguar rolin kushtetues të secilit do të dështojë, sikundër edhe çdo tendencë për të bërë zgjidhje jokushtetuese. Personalisht mendoj dhe besoj se PSD-ja nuk e ka një tendencë të tillë.
“Epoka e re”: Një gjë të tillë e ka thënë deputeti i PSD-së, Dukagjin Gorani.
Pajaziti: Nëse PSD-ja përfshihet në një gjë të tillë me siguri se nuk mund ta çojë përpara idenë e vet. Nuk besoj se PSD-ja e ka idenë e tillë dhe ne nuk duhet të paragjykojmë. Iniciativa e tyre duhet të vazhdohet sepse është një përpjekje e mirë për t’u ulur të gjithë në një ekip i cili do të ishte përfaqësues i institucioneve tona në procesin e dialogut.
“Epoka e re”: Si e shihni vazhdimin e procesit të bisedimeve Kosovë – Serbi dhe a mendoni se do të mund të arrihet konsensusi për këtë çështje pas këtyre zhvillimeve?
Pajaziti: Ky është një prej proceseve më të vështira që kemi pasur vitet e fundit në vendin tonë. Është një ndër përgjegjësit më serioze që del para politikës së Kosovës. Shpresoj se do të gjendet forcë dhe pjekuri e nevojshme politike e të gjithëve në mënyrë që ky proces të ecë më tutje. Tekefundit, nuk kemi një alternativë tjetër. Edhe ata që e kanë kundërshtuar dhe mund ta kundërshtojnë këtë proces nuk është se kanë pasur ose e kanë një koncept ndryshe për të prezantuar një plan tjetër se si duhet të ecet në këtë drejtim. Dialogu është instrumenti me të cilin ne duhet t’i zgjidhim të gjitha problemet dhe aq më tepër se duhet t’ia hapim rrugën vendit tonë në proceset integruese.
“Epoka e re”: Z. Pajaziti, si e komentoni kërkesën e LDK-së dhe të Vetëvendosjes për zgjedhje të reja? Ka zgjidhje tjetër përveç zgjedhjeve?
Pajaziti: Është kërkesë joserioze për vetë faktin se bëhet pikërisht në kohën kur duhet t’i marrim përgjegjësitë të gjithë për t’u përfshirë në këtë proces. Mendoj se kjo është më shumë ikje nga përgjegjësia që e kanë sesa që është ide për të pasur zgjidhje të duhur. Nëse ata nuk janë në gjendje të japin një plan ose ide se si duhet të bëhet, nuk besoj se në një rast tjetër të tillë do të mund të merrnin përgjegjësi të tjera e do ta kishin fuqinë dhe seriozitetin e duhur të merren me këtë proces shumë serioz dhe për fatin e vendit dhe të gjeneratave që do të vijnë.
“Epoka e re”: Do të jetë sfidues vazhdimi i funksionimit të koalicionit qeverisës dhe puna e Kuvendit të Kosovës në këto rrethana?
Pajaziti: Përgjegjësinë që kanë marrë përfaqësuesit institucionalë me votën e lirë të qytetarëve duhet ta kryejnë sa më mirë. Institucionet duhet të fokusohen më shumë në kualitetin e qeverisjes dhe në problemet që i kanë qytetarët. Kjo është përgjegjësia që kanë përfaqësuesit e institucioneve. Pjesa tjetër do të shihet në sfidat që do të vijnë.
Shqipe HETEMI