Përfundimi i luftës në Kosovë dhe transformimi i LPK-së (21)

12 janar 2024 | 11:31

INTERVISTË EKSKLUZIVE me Bardhyl Mahmutin: Si u hoq cilësimi i UÇK-së si “organizatë terroriste”? (21)

Politologu Bardhyl Mahmuti, ish-përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në intervistën ekskluzive dhënë “Epokës së re”, në vazhdimin e pjesës së njëzetenjë, ka folur për përfundimin e luftës në Kosovë dhe transformimin e Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK).

Ai ka theksuar se më 26 qershor 1999 u votua për shndërrimin e LPK-së në parti politike.

“Pas këtij vendimi, më 4 korrik 1999 u themelua Partia e Bashkimit Demokratik, ndërkaq më 7 korrik u formuan organet drejtuese të saj”, ka bërë me dije Bardhyl Mahmuti, i cili ka dhënë edhe sqarime për komunikatën e lëshuar nga qyteti Aarau i Zvicrës, në të cilën theksohej se LPK-ja nuk ka asgjë të përbashkët me Partinë e Bashkimit Demokratik.

Gjithashtu, Bardhyl Mahmuti ka folur edhe për reagimet kur dikush përmendte termin “marionetë” dhe “spiun francez” për ish-udhëheqësin e Drejtorisë Politike të UÇK-së, Hashim Thaçi.

“Epoka e re”: Pak përpara përfundimit të luftës, organet drejtuese të LPK-së vendosën ta shndërronin pjesën e kësaj organizate që vepronte në Kosovë në parti politike. Edhe pse pati një proces të tërë rreth kësaj çështjeje, transformimi i saj në parti politike nuk u përkrah nga të gjithë veprimtarët e saj. Ku ishin arsyet e divergjencave që sollën deri te refuzimi nga një numër veprimtarësh të pranonin rezultatet e Mbledhjes së Përgjithshme që u mbajt në Prizren, në qershor të vitit 1999?
Bardhyl Mahmuti: Duke qenë në rrjedha të zhvillimeve të bombardimeve të caqeve të forcave serbe dhe iniciativave diplomatike për t’i imponuar Sllobodan Millosheviqit që t’i pranonte kushtet e vëna për ndërprerjen e luftës, më 22 maj 1999, Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Popullore të Kosovës vendosi të kërkojë mendimet e strukturave të saj (Nëndegëve, Këshillave të rretheve dhe Këshillave popullorë) lidhur me një varg çështjes, në mesin e të cilave edhe mendimi për transformimin e kësaj organizate në parti politike.

No description available.

Në përputhje me përgjigjet që morën nga strukturat e organizatës u formua grupi i punës që do të përgatiste Mbledhjen e V të Përgjithshme brenda vendit në përbërje të së cilit ishin Ali Ahmeti, Ibrahim Kelmendi, Ramadan Avdiu, Halil Selimi, Xhevat Bislimi, Mehmet Bislimi dhe Ramiz Lladrovci, ndërkaq Bedri Islami, Hasan Ukëhaxhaj dhe unë u ngarkuam të koordinonim veprimtarinë me Qeverinë e Përkohshme.
Pas takimeve konsultative me veprimtarët e LPK-së në Kosovë dhe mbledhjeve konsultative në Prishtinë dhe Prizren, më 26 qershor u mbajt Mbledhja e V e Përgjithshme e LPK-së në Prizren. Me 1 votë kundër dhe 4 abstenime delegatët që ishin të pranishëm votuan për shndërrimin e LPK-së në parti politike.
Pas këtij vendimi, më 4 korrik 1999 u themelua Partia e Bashkimit Demokratik, ndërkaq më 7 korrik u formuan organet drejtuese të saj.

“Epoka e re”: Në mbledhjen themeluese të partisë ju u zgjodhët kryetar partie, z. Jakup Krasniqi nënkryetar, ndërkaq z. Shaban Shala Sekretar i përgjithshëm. Çka ndodhi me kryetarin e deriatëhershëm të LPK-së, z. Bedri Islami?
Bardhyl Mahmuti: Në momentet më të rëndësishme të luftës çlirimtare, Bedri Islami ka qenë kryetar i organizatës dhe falë urtësisë së tij, gjërat kanë shkuar ashtu si duhej. Është e habitshme energjitë intelektuale dhe fizike që ka poseduar ky njeri në atë kohë. Përveç takimeve të rëndësishme për rrjedhat e luftës, ai ka shkruar disa qindra artikuj dhe fjalime për të arsyetuar domosdoshmërinë e luftës çlirimtare dhe për t’i mobilizuar mërgimtarët të përkrahnin këtë luftë. Për arsye personale ai vendosi të mos jetë kandidat për udhëheqës partie. Nëse do të shprehte dëshirën të vazhdonte udhëheqjen e strukturës sonë, jam i bindur se do të fitonte besimin e shumicës dërmuese. Unë do të votoja për të!

“Epoka e re”: Një javë më vonë, më 11 korrik 1999, në emër të Kryesisë së Nëndegës së LPK-së për Zvicër, u lëshua një komunikatë nga qyteti Aarau i Zvicrës, nëpërmjet secilës deklarohej se LPK-ja nuk ka asgjë të përbashkët me Partinë e Bashkimit Demokratik dhe se kjo organizatë do të vazhdojë veprimtarinë për arritjen e misioneve të veta. Si e keni parë këtë komunikatë në atë kohë?
Bardhyl Mahmuti: Edhe pse kam qenë në dijeni se prapa shkrimit të asaj komunikate nuk ka qëndruar kryesia e Nëndegës së LPK-së për Zvicër dhe as nënshkrimi i sekretarit të saj (sepse Xhevat Kabashi ka qenë në Kosovë, së bashku me Ramadan Avdiun, Murat Bytyqin dhe Muharrem Elshanin), ne nuk kemi reaguar.
Ka qenë plotësisht e mundshme që ndonjëri prej tyre të ketë qenë kundër transformimit të LPK-së në parti politike, madje Muharrem Elshani ka qenë i vetmi delegat në Mbledhjen e V të Përgjithshme që ka votuar kundër! Mirëpo ishim të bindur se cilësimi që u bëhej “disa anëtarëve të Degës së LPK-së si karrieristë të sëmurë të cilët mendojnë se edhe LPK-në e kanë lodër për sëmundjet e tyre karrieriste” nuk mund të vinte nga Murat Bytyqi, Ramadan Avdiu apo Xhevat Kabashi.

No description available.

“Epoka e re”: A e dini se kush e ka shkruar këtë komunikatë?
Bardhyl Mahmuti: Po! E dimë edhe kush e ka shkruar edhe kush e ka shpërndarë nga Zurich. Nuk e shoh të udhës tua përmend emrat. Ai që e ka shpërndarë komunikatën nga Zurich-u ka qenë një atdhetar i madh dhe veprimtar i shquar për çlirimin e vendit dhe pa marrë parasysh që nuk është pajtuar me proceset që janë zhvilluar në atë kohë, unë ruaj respektin për të!

“Epoka e re”: Pse nuk reaguat?
Bardhyl Mahmuti: Nuk e kemi parë të udhës të mohojmë të drejtën e atyre që mendonin se duhet të ruanin vazhdimësinë e LPK-së për të realizuar misionet në territoret e pushtuara nga Serbia në Luginë të Preshevës, në Maqedoni dhe në Mal të Zi. Asnjëherë nuk i kam dhënë vetës të drejtë t’i mohoj dikujt të drejtën të veprojë edhe në emër të asaj organizate, pjesë e secilës kam qenë.

“Epoka e re”: Ata që ju akuzonin se i keni larguar nga udhëheqja e organizatës nëpërmjet “puçit” që keni bërë në Mbledhjen e Gjashtë të Përgjithshme të LPK-së Dega Jashtë Vendit, nuk njohën procesin e transformimit të LPK-së në parti dhe garuan për pushtet në Kosovë. A ju ka shkuar ndërmend t’i akuzoni se kanë bërë “puç” kundër Mbledhjes së V të Përgjithshme që u mbajt në Prizren?
Bardhyl Mahmuti: Komplotet karakterizohen me aksione të fshehta të kryera nga individë apo grupe me qëllim që të bëjnë dëm, dhe gjatë historisë ka pasur komplote që hulumtimet kanë nxjerr në pah detajet se si janë organizuar dhe kryer ato. Mirëpo, në politologji teoria që përpiqet t’i shpjegojë rrjedhat shoqërore nëpërmjet komplotit konsiderohet si një çati ku përpiqen të strehohen ata që nuk kanë mjete të tjera teorike për të shpjeguar gjërat. Unë jam politolog dhe në asnjë rast nuk mendoj se ata që kanë vazhduar LPK-në kanë pasur qëllim të keq. Është çështje tjetër se sa kanë ditur të realizojnë misionet për të cilat janë përcaktuar. As nuk i kam kritikuar dhe as i kam quajtur “karrieristë të sëmurë” kur kanë garuar në zgjedhje në emër të LPK-së, as kur janë transformuar në Parti Socialiste, as kur e kanë zhbërë Partinë Socialiste pas dështimit në zgjedhje. Nëse Partia e Bashkimit Demokratik “nuk ka pasur asgjë të përbashkët me Lëvizjen Popullore të Kosovës”, siç deklaroheshin nëpërmjet komunikatës së lartpërmendur, atëherë mund të them me plotë të drejtë se ata që nxorën në “tregun elektoral” akronimin që qëndron në themelet e lirisë së Kosovës dhe që dështuan në mënyrën më të keqe të mundshme, nuk mund të pretendojnë se kanë diçka të përbashkët me frymën e Lëvizjes Popullore të Kosovës. Madje dështimin e tyre personal në zgjedhje nuk mund t’ia atribuojnë LPK-së!

“Epoka e re”: Nëse lëmë anash çështjen e garës elektorale me akronim të LPK-së apo të Partisë Socialiste të Kosovës, çfarë mund të thuhet në raport me angazhimin e tyre për realizimin e misioneve të lëvizjes në territoret e pushtuara nga Serbia në Luginë të Preshevës, në Maqedoni dhe në Mal të Zi?
Bardhyl Mahmuti: Nëse lexoni librat dhe intervistat e atyre që na akuzojnë për “puçe” dhe “komplote” gjatë luftës në Kosovë, LPK-ja e riorganizuar “nga anëtarë të devotshëm të LPK-së anë e mbanë globit” themeloi UÇPMB-në dhe Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare. Është për t’u habitur se si këta veprimtarë të devotshëm të çështjes kombëtare nuk bëjnë asnjë vërejtje të vetme rreth angazhimeve të tyre në këto dy luftëra! Përkundrazi kanë vetëm mburrje!
Ata harrojnë gjënë thelbësore në angazhimet politike: rezultatin final! Nëse ne “puçistët” bëmë “komplot” kundër tyre për të marrë në duar udhëheqjen politike të luftës çlirimtare në Kosovë, ndërsa ata kishin “duart e lira” të udhëhiqnin luftën në Luginë të Preshevës dhe në Maqedoni, do të ishte mirë t’i shihnin rezultatet!
Kur shoh gjendjen e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, si popull më i shtypur dhe më i diskriminuar në Europë, dhe kur shoh që të drejtat e shqiptarëve autoktonë në trojet e veta nën Maqedoni përcaktohen me përqindjet e manipuluara, atëherë nuk më vjen keq të deklaroj publikisht se shyqyr që nuk kanë fituar besimin e delegatëve të Mbledhjes së Gjashtë të Përgjithshme të LPK-së Dega Jashtë Vendit, sepse ka pasur rrezik që rrjedhat të merrnin drejtime të padëshiruara.
Në vend që të vazhdojnë me akuza kundër “puçistëve” që i larguan nga drejtimi i organizatës në maj të vitit 1998, do të ishte mirë të sqaronin veprimtarët e devotshëm nëse shuarja e “LPK-së së tyre” nënkupton se kanë realizuar misionet politike të Lëvizjes Popullore të Kosovës! Sipas mendimit tim qëllimet politike të LPK-së nuk janë matur me numrin e funksionarëve që merrnin rroga në “Narodna skupština Republike Srbije” apo në “Sobranie na Republika Makedonija”!

“Epoka e re”: Zhvillimet e asaj kohe i shpjegoni si rezultat i luftës politike brenda LPK-së. Megjithatë ju ka ndodhur të reagoni ashpër kur dikush ka përmendur termin “marionetë” dhe “spiun francez” për ish udhëheqësin e Drejtorisë Politike të UÇK-së, z. Hashim Thaçi.
Bardhyl Mahmuti: Në atë kohë Hashim Thaçi ishte në funksione publike me përgjegjësi të lartë shtetërore në Prishtinë dhe kishte mundur të mbrohej vet ndaj çfarëdo akuzash, pa pasur nevojë për “mbrojtjen time”! Mirëpo ai që ngriti akuza të tilla dhe disa ish bashkëveprimtarë më janë drejtuar publikisht nëpërmjet Facebook-ut që të jap mendimin tim lidhur me këto pretendime. Shpifjet ndaj Hashim Thaçit si “spiun të Francës…”, të mbështetura në thëniet e gjoja “ish shefit të shërbimit francez Pierre Siramy”, u shndërruan në një histeri të përmasave të gjera nga ata që shihnin gjithkund “komplot” dhe kaloi caqet e divergjencave individuale. Prandaj nuk po ua përmend emrat. Por, siç thotë një shprehje popullore, “kush është Bektesh, e merr vesh”!
Në këtë kontekst e pashë të udhës të sqaroj opinionin publik shqiptar se prapa emrit “Pierre Syrami” nuk qëndron asnjë shef i Shërbimit Francez, por bëhet fjalë për pseudonimin e Maurice Dufresse, një ish Zëvendësdrejtor teknik, i pensionuar për “çështje shëndetësore” dhe i cili ka botuar një libër, ndaj të cilit janë ngritur disa padi për shpifje! E pashë të udhës të sqaroja se në librin e tij autorial “Dëshmia e Pierre Siramy-t, 25 vjet në shërbimet sekrete”, në 793 faqe të shpërndarë falas përmes internetit, nuk e gjen as edhe një fjalë e vetme për Hashim Thaçin!
Sipas mendimit tim, është e turpshme kur, për inate personale, bashkëveprimtarët e dikurshëm përhapin shpifje të tilla!

“Epoka e re”: Megjithatë akuzat për “marioneta të shërbimeve sekrete” nuk kanë pushuar as sot e kësaj dite!
Bardhyl Mahmuti: Përkundër dëshirës së atyre që synojnë të krijojnë huti, njerëzit nxjerrin konkluzione në bazë të rezultateve. Nëse “marionetat e shërbimeve sekrete” arritën të drejtojnë politikisht luftën dhe të çlirojnë Kosovën, ndërkaq përpjekjet e “anëtarëve të devotshëm të LPK-së anë e mbanë globit” nuk arritën të çlirojnë territoret shqiptare të Luginës së Preshevës dhe në Maqedoni, atëherë diçka nuk është në rregull me koherencën e tyre!

“Epoka e re”: Për aq sa kemi dijeni, LPK-ja vazhdon ekzistencën e saj.
Bardhyl Mahmuti: Nëse përdorim gjuhën e komunikatës që është përdorur kundër Partisë së Bashkimit Demokratik, atëherë mund të themi se shpërbërja e Partisë Socialiste të Kosovës që pretendonte se ishte vazhdimësi e LPK-së u bë nga ata që këtë organizatë e kanë konsideruar me logjikën e “lodrës”. Mirëpo ka veprimtarë që nuk janë pajtuar me këtë rrjedhë të ngjarjeve. Edhe sot e kësaj dite Murat Bytyqi përpiqet të mbajë gjallë organizatën me emrin LPK. Murat Bytyqi është një veprimtar i shquar i çështjes kombëtare, me të cilin kemi qenë në burgun e Pozharevacit dhe ndaj të cilit ruaj respektin që e kam pasur gjithmonë.

“Epoka e re”: A e dini se çfarë bëjnë konkretisht veprimtarët që kanë vazhduar veprimtarinë në kuadër të LPK-së?
Bardhyl Mahmuti: Aspiratat që ishin shtruar në platformën politike të Lëvizjes Popullore të Kosovës nuk janë realizuar tërësisht as sot e kësaj dite. Me kapacitetet që kanë, ata përpiqen të mbajnë gjallë këtë frymë. Po ju jap një shembull konkret. Pas agresionit serb në Banjska, Murat Bytyqi organizoi një takim me veprimtarë të dalluar të çështjes kombëtare me qëllim që të ndanin shqetësimet me situatën e krijuar dhe të bashkërenditeshin veprimtaritë në interes të Kosovës. Isha i ftuar edhe unë. Për shkak të gripit që më kishte rënë nuk munda të shkoj, përndryshe do të merrja pjesë.

“Epoka e re”: Disa muaj pas themelimit të Partisë për Bashkim Demokratik ju u bashkuat me pjesën tjetër të Drejtorisë Politike për të themeluar Partinë për Prosperitet Demokratik të Kosovës, e cila në Kuvendin e Parë Zgjedhor mori emrin Partia Demokratike e Kosovës.
Bardhyl Mahmuti: Deshëm apo nuk deshëm, qëndrimi i disa anëtarëve të LPK-së të vazhdonin realizimin e misionit të kësaj organizate me të njëjtin akronim na vinte në pozitë që të arsyetonim vazhdimisht legjitimitetin e lindjes së Partisë për Bashkim Demokratik. Në këtë kontekst, një numër drejtuesish të partisë ishin të mendimit se duhej të bashkoheshin rreth një partie politike të gjitha forcat dhe veprimtarët që kishin mbështetur luftën çlirimtare. Fryma e bashkimit dominonte gjithkund në radhët tona dhe si rezultat i kësaj fryme, më 12 tetor 1999, së bashkë me Hashim Thaçin, nënshkruam deklaratën e bashkimit politik për t’i dhënë fuqi një force të përbashkët politike.
Është e habitshme se pikërisht ata që nuk njihnin “legjitimitetin e transformimit të LPK-së në Partinë për Bashkim Demokratik”, vazhdojnë të shkruajnë në shkarravinat e tyre se gjoja u bë puç kundër meje për “me ma marrë partinë”! Janë pikërisht njerëz që partitë i shohin si “lodra” në duar të dikujt!

(Muhamet Mavraj / Vijon)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kanë mbetur më pak se 200 ditë. Është vetëm çështje…