Përfundoi dita e dytë e mbajtjes së testit të maturës
Pas rajonit të Ferizajt dhe Gjilanit, të martën është mbajtur dita e dytë e testit të Maturës Shtetërore 2018 në rajonin e Prishtinës.
Në bazë të informatave të pranuara nga komisionarët dhe administruesit e testit, procesi i gjithë ditës së martë ka shkuar mirë, me disa parregullsi të vogla.
“Deri më tani, nga tri rajonet ku është zhvilluar testi i Maturës, pra në Ferizaj, Gjilan dhe Prishtinë, janë evidentuar gjithsej pesë administrues, të cilët kanë punuar në kundërshtim me përgjegjësitë e tyre dhe MAShT-i shumë shpejtë do të bëjë publikim e emrave të tyre dhe do të marrë masa ndëshkuese konform vendimit dhe legjislacionit në fuqi”, është thënë në komunikatën e MAShT-it.
Sipas MAShT-it, gjatë këtyre ditëve edhe dhjetëra maturantë janë përjashtuar nga testi për arsye të përdorimit të telefonave në qendrat e testimit.
“Ndërsa, rastet tjera të parregullsive të shënuara gjatë këtij procesi, Ministria me kohë i ka raportuar në organet kompetente”, është theksuar në komunikatën e MAShT-it.
/Epoka e re/