Përfundoi ndeshja Xhaka vs Rashica
Stadiumi “Fadil Vokrri” është mbushur edhe një herë me tifozë. Kësaj radhe në fushën e këtij stadiumi mitik kanë zbritur dy yjet e futbollit shqiptar, Milot Rashica e Granit Xhaka, që së bashku me shokët e tyre nga bota e sportit e kulturës kanë luajtur kundër njëri – tjetrit në një ndeshje bamirësie për nder të 20 vjetorit të çlirimit të Prishtinës.
Kjo ndeshje është organizuar në bashkëpunim ndërmjet Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës, kurse krahas presidentit të FFK-së, Agim Ademi e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, nga afër ndeshjen e kanë ndjekur edhe kryeministri Ramush Haradinaj dhe ambasadori britanik, Rouari O’Connell. Ndeshja pas 80 minutave lojë është mbyllur baras, 4:4, derisa tifozët e shumtë janë argëtuar me atë çfarë kanë treguar lojtarët në fushë.
Ekipi i Rashicës e nisi më mirë lojën dhe pas vetëm 5 minutash kaloi në epërsi, me golin e mesfushorit të Kombëtares së Shqipërisë, Ermir Lenjani. Mirëpo, shumë shpejtë erdhi reagimi i ekipit të Xhakës, që arriti ta barazojë rezultatin shpejtë, me golin e ndihmëstrajnerit të Kombëtares së Kosovës, Muharrem Sahiti. Në minutën e 9-të loja u ndalë në shenjë nderimi për legjendën Fadil Vokrri, ku për një minutë lojtarët në fushë dhe i gjithë stadiumi duartrokitën dhe brohoritën emrin e ish-presidentit të FFK-së.
Ndërkohë, basketbollisti i Prishtinës, Dardan Berisha shënoi për epërsinë e ekipit të Xhakës, 2:1. Rastin për ta “ndëshkuar” Milot Rashicën nuk e lëshoi as gjyqtari Genc Nuza, për ta kujtuar gjatë karrierës së tij që ia ka ‘dhuruar’ një kartonë të verdhë yllit të Kombëtares së Kosovës. Në pushim ndërmjet dy pjesëve presidenti i FFK-së, Agim Ademi, kryeministri Ramush Haradinaj, ambasadori Ruari O’Connell dhe kryetari i KK të Prishtinës, Shpend Ahmeti dhuruan nga një fanellë për ish-futbollistët e gjeneratës së artë të Prishtinës.
Gola pati edhe në pjesën e dytë. Fillimisht rezultatin e barazoi Shefki Kuqi, i cili shënoi pas një pasimi nga Milot Rashica dhe më pas u përkujdes për spektakël me fluturimin e tij tradicional si shqiponjë. Vetëm pak minuta më vonë Rashica shënoi për epërsinë e ekipit të tij para se të zëvendësohej. Megjithatë, shumë shpejt u kundërpërgjigj Xhaka, i cili realizoi golin e barazimit 3:3. Ndërkaq, dy golat e fundit të ndeshjes u shënuan nga Armend Thaqi për ekipin e Xhakës dhe Emir Lenjani për ekipin e Rashicës, për rezultatin përfundimtar 4:4.
Ekipi i Granit Xhakës e kishte trajner Afrim Tovërlanin, ndërsa asistent Shpend Ahmetin. Në këtë skuadër, përveç Xhakës, ishin edhe Fatos Sinani, Armend Thaqi, Blerim Rrustemi, Debatik Curri, Arben Zhjeqi, Muharrem Sahiti, Berat Buzhala, Gramos Vokrri, Enis Fetahu, Dukagjin Lipa, Margim Mavraj, Ragip Xhaka, Adrian Berisha dhe Dardan Berisha.
Ndërsa, trajner i ekipit të Milot Rashicës ishte Ismet Munishi dhe asistent Meda. Në këtë skuadër, si futbollistë ishin: Visar Bekaj, Ermir Lenjani, Milaim Humolli, Armend Dallku, Eroll Salihu, Shefki Kuqi, Ledri Vula, Suad Keçi, Liridon Leci, Blero, Xhevdet Llumnica, Driton Krasniqi, Azem Ahmeti, Mirsad Rashica dhe Haxhi Krasniqi.