Përfundoi pjesa e parë e ndeshjes Feronikeli – Milan
Në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku shumica e 13,500 ulëseve ishin të zbrazura, u mbyll pjesa e parë e ndeshjes miqësore mes Feronikelit dhe Milanit.
Në 45 minutat e parë të kësaj ndeshjeje dominuan kuqezinjtë italianë, të cilët e mbyllën pjesën e parë me epërsi minimale 1:0, raporton Gazeta Express.
Golin e epërsisë e shënoi Suso në minutën e 26-të të ndeshjes, me një supergoditje nga gjuajtja e lirë.
Trajneri i Feronikelit, Dejan Vukicevic, do të tentojë që ta motivojë skuadrën e tij për të qenë më aktiv gjatë pjesës së dytë, pasi që gjatë pjesës së parë gjatë shumicës së kohës Milani ishte duke sulmuar.
Megjithatë, edhe pse Milani i Marco Giampaolos dominoi me posedim të topit, as kuqezinjtë nuk krijuan raste të mira për të shënuar. Rasti i tyre më i mirë ishte pikërisht gjuajtja e lirë, të cilën Suso e shndërroi në gol.
Para ndeshjes, trajneri Bylbyl Sokoli pretendoi se rreth gjashtë futbollistë të Feronikelit nuk ishin në gjendje të mirë shëndetësore, mirëpo ky lajm nuk është konfirmuar nga zyrtarët e klubit drenicas.
Këtë ndeshje nuk e shikuan shumë tifozë nga afër, pasi që çmimet e larta të biletave bënë që stadiumi të ketë shumë pak tifozë brenda dhe shumica prej tyre të vendosur në pjesën e veriut dhe jugut, ku biletat ishin më të lira.