Përfundoi shkolla verore për nxënësit nga diaspora
Organizuar nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, pas pesë ditëve me plot aktivitete, ka përfunduar me sukses shkolla verore 2019. Shkolla verore u mbajt në Rugovë, nga data 5 deri më 9 gusht.
Në të morën pjesë 37 nxënës dhe mësues nga diaspora dhe Kosova.
Me aktivitete të shumta që kishin për qëllim zhvillimin e personalitetit dhe shkathtësive të nxënësve, zhvillimin e mendimit kritik e kreativ, socializimin dhe krijimin e shoqërive të reja e shumë aktivitete të tjera atraktive e sportive, nxënësit sfiduan njëri-tjetrin duke e bërë kështu shkollën verore njërën nga përjetimet më të mira të kësaj vere.
Krahas tyre, ata vizituan bukuritë natyrore, si Grykën e Rugovës e Valbonën, ku u njohën me gjeografinë dhe relievin e këtyre anëve.
Ruajtja e identitetit kombëtar, gjuhësor dhe kulturor, shkëmbimi i përvojave dhe kulturave të ndryshme, socializimi dhe krijimi i lidhjeve të reja shoqërore ishin disa nga qëllimet që u arritën falë angazhimit të të gjithë atyre që kontribuuan për realizimin e kësaj shkolle.
/Epoka e re/