Përfundojnë deklaratat hyrëse në Hagë
Gjykatën Speciale në Hagë kanë përfunduar deklaratat hyrëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, mbrojtësit të viktimave dhe ekipeve të mbrojtjes të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në ditën e tretë të gjykimit, mbrojtja e Jakup Krasniqit ishte e fundit që mbajti deklaratat hyrëse, duke argumentuar se ndaj ish-zëdhënësit të UÇK-së, organi i ndjekjes nuk ka prova që e lidhin atë me ndonjë nga krimet e pretenduara.
Vetë Krasniqi iu drejtua trupit gjykues duke thënë se nuk ka kryer ndonjë krim, as “para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës”.
Ai ka thënë se është absurde akuza se ai dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, kanë “persekutuar” anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Krasniqi ka thënë se vetë ka qenë pjesë e LDK-së.
Prokuroria ka pretenduar se të akuzuarit kanë udhëhequr një “ndërmarrje të përbashkët kriminale” që ka shënjestruar kundërshtarët e perceptuar të UÇK-së, përfshirë edhe mbështetësit e LDK-së.