Përfundojnë gërmimet në Prekaz, pritet të vazhdojnë në katër lokacione të tjera
Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit, ka bërë të ditur se tashmë do të vazhdojnë gërmimet në katër lokacione të ndryshme, në Skenderaj, Suharekë, Tusuz në Prizren dhe një lokacion për konfirmim identiteti në Podujevë.
Siç ka thënë ai për Dukagjinin, gërmimet vlerësuese në Prekaz kanë përfunduar, dhe eshtrat e gjetura do të ekzaminohen nga ekspertët mjekoligjorë për identifikim.
Sipas tij, në ditët në vijim do të vazhdojnë gërmimet në lokacionet e tjera të përcaktuara.
“Sipas dakordimeve gjatë takimit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, mbajtur më 7 shkurt , gjatë këtyre javëve jemi të angazhuar në katër lokacione (Prekaz, Skenderaj; Suharekë; Tusuz,Prizren ; dhe një lokacion për konfirmim identiteti në Podujevë ). Gërmimet vlerësuese në Prekaz të realizuara gjatë këtyre katër ditëve tanimë kanë përfunduar. Eshtrat (një pjesë kockore) e zhvarrosur do të ekzaminohen nga ekspertët mjekoligjorë në kuptim edhe të identifikimit. Përderisa në ditët në vijim do të vazhdojmë në lokacionet tjera të lartcekura”, ka deklaruar ai.
Po ashtu, ai ka kritikuar qasjen politizuese të Beogradit kundrejt këtij procesi.
Ai ka njoftuar se një takim i planifikuar në Kroaci më 29 shkurt është pjesë e bashkëpunimit rajonal në zbatim të ‘Planit Rajonal për adresimin e rasteve të personave të zhdukur gjatë luftërave në territorin e ish-Jugosllavisë’.
“Takimi në Republikën e Kroacisë, i planifikuar për datën 29 shkurt 2024, është në kuadër të bashkëpunimit rajonal në zbatim të ‘Planit Rajonal për adresimin e rasteve të personave të zhdukur gjatë luftërave në territorin e ish-Jugosllavisë”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se në takim përfshin pjesëmarrjen e disa vendeve të tjera rajonale, duke përfshirë Republikën e Kosovës, Republikën e Kroacisë, Bosnjë e Hercegovinë, Malin e Zi dhe Serbinë.