Përfundojnë gërmimet në Prishtinë, nuk ka mbetje mortore
Autoritetet përgjegjëse në Kosovë i kanë përfunduar gërmimet për një varrezë të dyshuar masive në kompleksin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në kryeqytet.
Kushtrim Gara, nga Komisioni për Personat e Pagjetur, ka konfirmuar për “Radion Evropa e Lirë” se gjatë tre ditësh gërmime nuk është gjetur ndonjë mbetje mortore nga lufta e fundit në Kosovë.
Ai ka deklaruar se në këtë lokacion nuk do të ketë më gërmime.
Policia e Kosovës , njësia për krime lufte, bashkë me Prokurorinë dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore i kanë nisur gërmimet më 26 nëntor, pas marrjes së informacioneve nga disa qytetarë, se në kompleksin e Universitetit të Prishtinës mund të ketë varrezë masive nga periudha e luftës së vitit 1999 në Kosovë.
Nga kjo luftë ende mbeten të zhdukur edhe rreth 1,600 persona.