Përfundojnë Lojërat Olimpike “Tokio 2020”
Lojërat Olimpike “Tokio 2020” janë shpallur të mbyllura të dielën nga shefi i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach.
Në ceremoninë e mbylljes, ai ka deklaruar se ngjarja sportive 16-ditore i kishte sjellë botës njëfarë shprese gjatë pandemisë së koronavirusit.
“Që nga fillimi i pandemisë për herë të parë e gjithë bota u bashkua. Ne epiqendër u kthye sporti. Duke ndarë momente gëzimi dhe frymëzimi, miliarda njerëz në të gjithë globin u bashkuan përmes emocioneve”, ka deklaruar Bach, duke thënë se kjo jep shpresë për të ardhmen.
Ai mbylli zyrtarisht Olimpiadën 2020, duke shënuar edhe fundin e udhëtimit olimpik që është vlerësuar si ndër më sfiduesit për shkak të pandemisë së Covid-19. Bach ka falënderuar organizatorët japonezë dhe mijëra vullnetarë që u angazhuan për përgatitjen e tyre.
Garat u zhvilluan në kushte të rrepta të kufizimeve kundër koronavirusit.
Lojërat ishin paraparë të mbaheshin vitin e kaluar, por ato u shtynë për shkak të pandemisë.
Dy xhudistet e Kosovës, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, morën dy medalje të arta në këto lojëra. Kjo ishte hera e dytë që Kosova mori pjesë në Lojërat Olimpike, ku në Rio më 2016 xhudistja Majlinda Kelmendi fitoi medalje të artë në kategorinë e saj.
Të dielën, në ditën e fundit, Shtetet e Bashkuara shënuan fitore në volejboll, çiklizëm në pistë dhe basketboll për femra duke dalë në vendin e parë me 39 medalje ari, vetëm një përpara Kinës.
Medalja e 339 -të dhe e fundit e artë shkoi për ekipin e vaterpolit për meshkuj të Serbisë.
Tridhjetë e tre sporte janë zhvilluar në stadiume kryesisht të zbrazëta dhe sportistët kanë jetuar gjatë këtyre ditëve në kushte të rrepta për ta parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Lojërat Olimpike Verore 2024 do të mbahen në Paris të Francës.