Përfundojnë mosmarrëveshjet mes Vettelit dhe Leclercit
Ditën e diel, në pistën e Suzukas, do të zhvillohet gara e Çmimit të Madh të Japonisë në Formula 1, garë ku Ferrari synon të rikthehet protagonist. Charles Leclerc, duke folur për sfidën e radhës, u shpreh se problemet që ka pasur me shokun e vet të skuadrës Sebastian Vettel në dy garat e fundit janë sqaruar.
“Kjo është një pistë ku duhet të jemi kompetitivë. Që pas pushimeve kemi një makinë të shpejtë, edhe pse në dy garat e fundit prisja më shumë”, ka thënë Leclerc. “Me Vettelin ndodhën disa keqkuptime, por gjithçka u sqarua dhe jam i sigurt se këto gjëra nuk do të përsëriten në të ardhmen. U takuam dhe biseduam edhe me shefin. Mediet krijuan shumë pluhur për diçka që nuk ekzistonte. Duhet të punojmë për të mirën e skuadrës, por edhe sfida mes nesh është e rëndësishme, por pa penalizuar askënd”, ka deklaruar Leclerc.