Përfundojnë të qeta protestat e serbëve në Mitrovicën e Veriut
Policia e Kosovës ka bërë me dije se janë mbajtur dy protesta në dy lokacione në Mitrovicën e Veriut.
Policia ka njoftuar se protestat në orën 8:45 kanë përfunduar të qeta dhe protestuesit janë shpërndarë.
Njoftimi i plotë:
Angazhimet policore në mbarëvajtje të sigurisë
Prishtinë, më 02 shtator 2024
Policia e Kosovës, bazuar në informacionet e siguruara se në dy lokacione në Mitrovicë veri, do të mbahen protesta sot (02.09.2024) në orët e hershme të mëngjesit, me kohë ka ndërmarrë masat e nevojshme për ofrimin e sigurisë dhe ruajtjen e rendit e qetësisë publike, para, gjatë dhe pas përfundimit të protestave.
Policia e Kosovës, edhe pse protestat kanë qenë të paparalajmëruara, sipas ligjit mbi tubimet publike, e njeh të drejtën e qytetarëve për shprehjen e lirë përmes tubimeve e protestave të qeta, dhe sipas detyrës zyrtare angazhohet që të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe protestuesit, në mënyrë që mbarëvajtja e protestave të kalojë e qetë dhe pa incidente.
Rreth orës 08:45 protestat kanë përfunduar të qeta dhe protestuesit janë shpërndarë, përderisa njësitet policore kanë vazhduar me detyrat e rregullta policore.