Përfundojnë xhirimet e filmit “Dasma e Anës”
Kanë përfunduar në Tetovë xhirimet e filmit “Dasma e Anës” sipas skenarit të Haqif Mulliqit dhe regji të regjisorit Sabidin Aliu. “‘Dasma e Anës’ është një dramë tronditëse, e krijuar mbi një ngjarje të vërtetë që flet për një çift të ri që, për shkak të një sëmundjeje të rëndë, që e përcakton fatin e tyre, janë të detyruar që dashurinë e tyre ta kurorëzojnë me një dasmë si ngjarja e fundit në jetë. Filmi ngërthen në vete një romancë pasiononte dhe dramë me tone të fuqishme tragjike.
“Ky është bashkëpunimi im i dytë me regjisorin tim shumë të preferuar të filmit, Sabidin Aliu, pasi që, para dy apo tre vjetësh, gjithashtu, jemi pikëtakuar në projektin ‘Përralla’, film që ka korrur suksese në shumë festivale ndërkombëtare. ‘Dasma e Anës’ pasqyron një ngjarje të vërtetë për një çift që e kam njohur dhe është një tregim sa tragjik aq edhe motivues për njerëzit që dashurojnë me tërë qenien e tyre. Duke qenë se kam marrë pjesë në disa prej xhirimeve dhe se e kam shikuar pjesën më të madhe të materialeve, jam i bindur se filmi ‘Dasma e Anës’ do të pëlqehet shumë nga publiku ynë dhe ai i huaji”, ka thënë skenaristi Mulliqi.
Ndërsa regjisori Sabidin Aliu, profesor në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Tetovës, shprehet me përplot entuziazëm për projektin. “Thënë të drejtën, kam qenë i dashuruar që me leximin e parë në skenarin e profesor Mulliqit dhe më vjen shumë mirë që edhe juria e Agjencisë së Filmit të Maqedonisë së Veriut skenarin e ka vlerësuar me pikë maksimale. Unë jam përpjekur ta sajoj një kastë sa më të mirë të aktorëve dhe pas provave në tavolinë kemi kaluar në sheshxhirime. Edhe aktorët e kanë plotësuar maksimalisht detyrën e tyre dhe na kanë lehtësuar në punë. Gjithashtu, edhe pjesa tjetër e ekipit, e që është një ekip prej më të mirëve në Ballkan, ka kontribuuar që një tregim për një dashuri të këputur mes dy të rinjve ta shndërrojmë në fotografi lëvizëse. Jam i bindur se filmi do të komunikojë shumë, shumë mirë me publikun”, ka thënë regjisori Aliu.
Filmi është projekt i Shtëpisë Filmike “Vizion plus” nga Tetova e cila këtë film e ka realizuar në bashkëpunim me Fondin e Filmit të Maqedonisë së Veriut. Në rolet e tyre do të shfaqen aktorët: Afërdita Nuhiu, Sokol Monallari, Vullnet Ismani si dhe një grup i konsiderueshëm aktorësh të rinj që janë studentë të Fakultetit të Artit Dramatik të UShT-së. Drejtor i fotografisë është Albburon Mulliqi, ndërsa kostumografe Valentina Pajaziti.
Këtyre ditëve materiali filmik do të dërgohet për montim dhe postproduksion në njërën prej produksioneve filmike të Shkupit, i njohur dhe i respektuar për punë me sineastët e Kosovës në veçanti. Premiera e filmit “Dasma e Anës” pritet të mbahet në muajin shtator.