Përfundon botimi në vazhdime i librit të autorit Bardhyl Mahmuti “Krimi i gjenocidit – Aspekte teorike dhe studime rastesh”

22 nëntor 2024 | 15:54

Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” ka njoftuar për përfundimin e botimit në vazhdime të librit të autorit Bardhyl Mahmuti “Krimi i gjenocidit – Aspekte teorike dhe studime rastesh”.

“Të dashur miq, me rastin e 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës dhe përfundimit të zbatimit të gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve, Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” filloi publikimin e një pjesë të konsiderueshme të librit të Bardhyl Mahmutit të titulluar “Krimi i gjenocidit- Aspekte teorike dhe studime rastesh”. Për herë të parë lexuesit shqiptarë kanë pasur mundësi të informohen: për zhvillimet në kuadër të OKB-së dhe vështirësitë që e karakterizuan procesin e miratimit të Konventës për Gjenocid; për përkufizimin e drejtë të krimit të gjenocidit; për ndikimin negativ të përkthimit jo të saktë të përkufizimit të gjenocidit nga serbishtja në shqip; për gabimet e shumta terminologjike lidhur me krimin e gjenocidit; për ndikimin e madh negativ që mund të kenë juristë dhe historianë, anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve, në përhapjen e pasaktësive rreth krimit të gjenocidit; për tekstet themelore të së drejtës penale ndërkombëtare që nuk përmenden fare nga juristët shqiptarë; për domosdoshmërinë e harmonizimit të terminologjisë për të shmangur shfajësimin e Serbisë për zbatimin e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës; për mënyrën si duhet të trajtohen aktet gjenocidale që të ndriçohet në aspektin shkencor gjenocidi që kemi përjetuar si shqiptarë dhe për shumë aspekte të kësaj çështjeje që janë të rëndësishme për juristë, historianë, politikanë, gazetarë dhe intelektualë të fushave të ndryshme shoqërore”, ka njoftuar Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur”.

Të gjitha pjesët e botuara deri tani mund t’i lexonin në:

https://kosovogenocide.com/libra/

“Shpresojmë që së shpejti t’u ofrojmë lexuesve veprën e plotë, me shtojcën e dokumenteve të domosdoshme për studiuesit e krimit të gjenocidit. Me respekt, Qendra ‘Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur’”, theksohet në njoftim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO-ja, ai i Bashkimit…