Përfundon dëgjimi i dëshmitarit të fundit në gjykimin ndaj Gucatit dhe Haradinajt
Dëshmitari ekspert i mbrojtjes së Nasim Haradinajt ka përfunduar dëshminë e tij para Dhomave të Specializuara në Hagë.
Ish-shefi i operacioneve në Zyrën e Prokurorit të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi, Robert Reid, ka folur për praktikat në ruajtjen e informacioneve, kontrollet e sekuestrimet në operacione që lidhet me proceset gjyqësore. Mbrojtja ka kërkuar që raporti i hartuar nga ai të pranohet si provë materiale dhe trupi gjykues ka vendosur ta pranojë atë përveç pjesëve në disa paragraf të cilat sipas trupit gjykues nuk kanë të bëjnë me çështjen.
Prokurorja Bolici: A e keni kuptuar se një prej qëllimeve të kontrollimit, sekuestrimit që është kryer me datë 8, 17 dhe 22 shtator ishte që të u hiqej zotërimi, pra të akuzuarit mos t’i kishin më në dorë këto dokumente?
Dëshmitari Reid: Po
Prokurorja Bolici: Duke e pasur këtë parasysh a jeni dakord nëse them që dhënia e kopjeve të informacioneve dhe materialeve që pretendohet se të akuzuarit nuk kishin të drejtë që t’i mbanin bie ndesh me vet qëllimin e kontroll sekuestrimit. Pajtoheni me këtë?
Dëshmitari Reid: Po, por mendoj se mund të jepej një listë e përgjithshme se cfarë kishin pasur pa dhënë hollësitë.
Dëshmitari Reid: Unë nuk thash që ZPS-ja nuk ka ndjekur procedurat e rregullta. Unë thash që po të kisha qenë unë në vendin tuaj do të kisha ndjekur një procedurë të caktuar, ky është vlerësimi im.
Prokurorja Bolici: Kur keni dhënë komentin tuaj se çfarë pamje kishin procedurat e ZPS-së ose cilat ishin procedurat e bëra nga ZPS ju nuk është se keni pasur gjithë informacionin e nevojshëm në mënyrë që të vërtetonit apo vlerësonit nëse procedura do të kishte qenë e rregullt apo jo.
Dëshmitari Reid: Unë kam pasur transkriptet publike që më dhanë një ide, nëse do të kisha lexuar transkriptin e hetuesit që kur ajo solli, më 25 shtator e kam përshtypjen që kishte data që ka sjellë disa dokumente i ka sjell prapa, do të kishte qenë mirë se do e kisha kuptuar se si është bërë mbledhja e informacionit dhe si oshte sjellë qesja me dokumente prapa.
Prokurorja Bolici: Por avokati mbrojtës nuk ua vuri në dispozicion dokumentet që kishin, e saktë është kjo?
Këto pyetje janë kundërshtuar nga avokati mbrojtës i Haradinajt, Toby Cadman, i cili ka thënë se dëshmitarit eksperti i janë dhënë të gjitha dokumentet që i kishin në dispozicion.
“Zotëri Reid ka marrë çdo dokument që ne kemi pasur mundësi t’i japim në atë kohë, sugjerimi që dokumentet nuk janë dhënë në dispozicion atij nuk qëndron sepse këto dokumente nuk kanë ekzistuar në momentin kur ai është zgjedhur si ekspert, besoj që ju të nderuar gjykatës e mbani mend edhe në komunikimet interpartes edhe se çfarë kemi thënë atëherë dhe ZPS ka refuzuar që të përfshihej në këtë ushtrim në atë kohë dhe ne i kemi dhënë ato dokumente që kemi pasur të disponueshme në atë kohë”, ka thënë Cadman.
Gjatë marrjes në pyetje nga prokurorja Valeria Bolici, dëshmitari Reid ndër të tjera ka treguar për operacionin e konfiskimit që e kishte drejtuar në vitin 1997 në Prijedor.
Gjithashtu janë përmendur edhe rasti gjyqësor ndaj Fatmir Limajt, Ramush Haradinajt dhe ai i rigjykimit të Haradinajt.
Derisa është përgjigjur në pyetjet e trupit gjykues, ish shefi i operacioneve në TPNJ, Robert Reid ka thënë se kishin bashkëpunuar me Serbinë për çështjet e Kosovës.
Në fund të dëshmisë së Reid, kryetari i turpit gjykues Charles Smith ka bërë të ditur pjesët e dëshmisë të cilat janë pranuar.
“Pasi ka dëgjuar palët paneli e pranon raportin e ekspertit përveç paragrafit 26, fjalia e fundit e paragrafit 27, paragrafët 28,30. Turpi gjykues vëren që këto paragrafë kanë opinione të papranueshme lidhur me faktin nëse procedurat e kontrollit dhe të konfiskimit të ZPS-së janë në përputhje me rregulloren. Përveç kësaj paragrafi 30 ka komente të cilat nuk kanë të bëjnë më tematikën, duke pasur parasysh faktin që akt ekspertiza është e tillë, trupi gjykues i kërkon mbrojtjes së Haradinajt që brenda 31 janarit 2022 të paraqesë një dokument të redaktuar duke hequr pjesët e fshira”, ka thënë gjykatësi Smith.
Robert Reid, i cili do të shërbejë në hetimet ndërkombëtare penale në Australi, ka dëshmuar për dy ditë para dhomave të specializuara në Hagë.
Në ditën e parë të dëshmisë së tij para Dhomave të Specializuara në Hagë, Reid ka thënë se në rastin OVL-UÇK , Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk i ka ndjekur udhëzimet e punës që janë përdorur në TPNJ.
Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.
Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK-së dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.