Përfundon dëgjimi i dëshmitarit të parë në gjykimin ndaj Pjetër Shalës

28 mars 2023 | 12:23

Dëshmitari i parë i Zyrës së prokurorit të Specializuar (ZPS), në gjykimin kundër Pjetër Shalës, ka përfunduar dëshminë e tij duke thënë se i akuzuari duhet të tregojë se çka ka ndodhur në Fabrikën e Metalit në Kukës.

Sipas tij, Shala ka qenë prezent në atë vend për të cilin dëshmitari pretendon se ka qenë kamp ndalimi ku janë keqtrajtuar njerëzit.

Seanca me kundërpyetjet e avokatit mbrojtës të Shalës ka vijuar e mbyllur për publikun.

Mirëpo në fund të saj, dëshmitari ka thënë se babai i tij kishte pasur probleme me shikimin për shkak të torturës që ai pretendon se i është bërë në Kukës.

Sipas dëshmitarit, përgjegjës për këtë është Pjetër Shala.

“Me sa unë e mbaj në mend, diku 2008-ën veç ka filluar me humb shikimin, ka dokumentacionin ku është operuar, por pa sukses, i ka tetë vite prej kohës kur është mbajtur në kamp e përqendrimit, në burg sepse nuk është punë kamp, kështu që të gjitha i kanë ardhur nga aty, nga torturat çnjerëzorë deri në alivanosje ku babai tregonte që kur kanë ardhur njerëzit e tjerë u kanë thënë merre rrehe ti, tortura të ndryshme nga këta tre persona, me persona të tjerë që ka pasur, emrat nuk ka mundur t’i identifikoj. Mirëpo i dyshuari duhet të tregojë për të gjitha, çka është bërë aty, se ka qenë aty prezent, ka ushtruar dhunë, me gjithë personat e tjerë”, ka thënë dëshmitari.

Në ditën e parë të dëshmisë së tij, ai ka thënë se në maj të vitit 1998 disa persona kishin shkuar në shtëpinë e tij për të kërkuar dorëzimin e armëve.

Sipas tij, dy nga ta ishin futur në oborr për të biseduar, ndërsa të tjerët kishin qëndruar jashtë oborrit dhe me armë në duar.

Në këtë grup, sipas dëshmitarit ka qenë edhe Pjetër Shala.

Më tutje, dëshmitari ka thënë se babai i tij ishte kidnapuar dhe dërguar në një fabrikë metali në Kukës.

Aty, sipas tij, ai ishte keqtrajtuar deri në kthimin e tij në shtëpi 13 ditë më vonë, raporton “Ksp”.

Ky është dëshmitari i parë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe i njëjti ka dëshmuar nën masa mbrojtëse duke mbajtur të fshehur identitetin.

Seanca në Hagë do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarit të dytë të ZPS-së, i cili mban numrin 6.

Pjetër Shala po mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është e…