Përfundon dëgjimi i dëshmitarit të tretë në rastin e ‘Calit’, nesër në Hagë dëshmon zyrtari i LDK-së
Dëshmitari i tretë i mbrojtjes së Salih Mustafës, Jakup Ismaili e ka përfunduar dëshminë e tij para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Para trupit gjykues ai ka thënë se është takuar me Salih Mustafën në mars dhe prill të vitit 1999.
Sipas tij, ata kanë biseduar për sigurimin e medikamenteve dhe gjërave të tjera humanitare që atë kohë ishin të nevojshme për civilët shqiptar.
Në pjesën e fundit të seancës, dëshmitari ka përmendur edhe datën 20 prill të vitit 1999 kur ka thënë se nga fshati Butovc ka tentuar të hyjë në Prishtinë me Salih Mustafën për të marrë medikamente.
“Të njëjtin muaj, diku më 20 prill, përafërsisht nuk më kujtohet saktë data, ne kemi udhëtuar deri në Prishtinë dhe kemi tentuar me hy me tërheq medikamente, por prej pamundësisë jemi kthyer prapë dhe kemi blerë disa gjëra tek një person i komunitetit rom disa gjëra ushqimore, dhe jemi kthyer prapa, kjo ka zgjatë tetë orë. Kërkoj ndjesë avokatit që në moment nuk më është kujtuar për shkak se kam problem me kujtesën”, ka thënë dëshmitari.
Gjatë dëshmisë së tij, Ismaili ka thënë se me Salih Mustafën është takuar disa herë në Butovc në fundin e marsit dhe deri më 8 prill të vitit 1999.
Ndër të tjera ai ka thënë se aty kanë ndërtuar lloj bunkerësh për të ruajtur medikamentet që ishin të nevojshme për popullin. Për këtë ai ka thënë se ka qenë plan i tij dhe i Mustafës.
“Tek puna fizike, në hartimin e planit të bunkerëve ka marrë pjesë edhe Salih Mustafa. Në aspektin fizik, në aspektin e ndërtimit fizik jo, këtu është dallimi. Unë e kam kuptuar në kuptimin e planit operativ për me ndërtuar e jo në asketin fizik me punu punë fizike, edhe ashtu ka qenë me shëndet shumë i dobët, nuk ka pas shans me përdorë mjete të punës. Tek puna fizike nuk ka marrë pjesë, te hartimi dhe planifikimi për me i ndërtu dhe me i vendosë medikamentet aty kemi marrë pjesë unë dhe Salih Mustafa dhe është zbatuar edhe tek të tjerët, kanë marrë pjesë tani të gjithë për me ndërtuar me i hapë, por në aspektin fizik nuk ka marrë pjesë”, ka thënë Ismaili.
Para trupit gjykues ai ka thënë se me Salih Mustafën ka biseduar çdo javë pas arrestimit të tij por ka shtuar se kjo nuk ka ndikuar në dëshminë e tij para gjykatës.
Ismaili ka theksuar se i ka bërë të qarta pakënaqësitë e tij lidhur me arrestimin e Mustafës.
“Unë vet personalisht kam qenë i kyçur dhe kam bërë pyetje, çka është bërë, tërë jeta ka shkuar në aspektin human dhe me ardh me u ngritë një aktakuzë, unë kam folur hapur pakënaqësitë”, ka shtuar Ismaili.
Dëshmitari i tretë i mbrojtjes, Jakup Ismaili ka bërë të ditur se ishte pjesë e UÇK-së përmes njësisë BIA, nga qershori i vitit 1998.
Ai ka thënë se i ka raportuar mikut të tij, të ndjerit Sabit Krasniqi dhe ka shtuar se nuk ka qenë në dijeni se kush ishte struktura apo komandanti i njësisë BIA.
Ndërsa nesër para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë do të dëshmojë Hazir Borovci.
Salih Mustafa është arrestuar më 24 shtator të vitit 2020 me pretendimin për krime lufte.
Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.
Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues ai është deklaruar i pafajshëm. /Ksp/