Përfundon gara e shkathtësive ushtarake “Ujku Garues 2021”
Në Kazermën “Ushtarët e NATO-s”, të Komandës së Forcave Tokësore në Istog, u mbajt ceremonia e shpalljes së rezultateve të garës “Ujku Garues 2021”.
Në bazë të performancës së arritur në të gjitha disiplinat e kësaj gare, u përzgjodhën edhe ekipet fituese të cilave iu ndanë shpërblime dhe mirënjohje.
Vendin e parë i takoi Kompanisë 2B të Regjimentit të dytë të Komandës së Forcave Tokësore (KFT), në vendin e dytë u radhit Kompania e Shtabit të KFT-së si dhe në vendin e tretë ishte Komanda e Forcave Tokësore.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin zëvendësministri i Ministrisë së Mbrojtjes, Shemsi Syla, zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneral major Enver Cikaqi, pjesëtarë nga Policia e Kosovës si dhe oficerë e nënoficerë nga njësitet e FSK-së.
Me këtë rast, zëvendësministri Syla dhe zëvendëskomandanti i FSK-së, Cikaqi, i uruan pjesëmarrësit për organizimin e kësaj gare dhe vlerësuan lartë angazhimin dhe përkushtimin e Komandës së Forcave Tokësore.
“Ujku Garues” është një garë e shkathtësive ushtarake e organizuar nga Komanda e Forcave Tokësore, e cila është e fokusuar në dhjetë disiplina: vrapimi 3.2 km, vëzhgimi, zhvendosja e autoblindës, kalimi i zonës së rrezikshme, bartja e municionit, qitja me armë (të shkurtë dhe të gjatë), hedhja e granatës, bartja e të lënduarit dhe kalimi i zonës së minuar.
Gjithashtu, në këtë garë tregohet përgatitja fizike, ku dëshmohet puna ekipore, vlerësohet motivimi, pasqyrohet aftësia e shkathtësive ushtarake dhe bëhet menaxhimi i energjisë si dhe ruajtja e aftësisë së triumfit.