Përfundon me sukses cikli i investimeve kapitale në remontet e blloqeve të KEK-ut
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka filluar remontet kapitale në blloqet e Termocentralit A dhe B.
“Ashtu siç kemi njoftuar edhe më parë, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka filluar me kohë remontet kapitale në blloqet e TC-A-së dhe TC-B-së, në mënyrë që para sezonit dimërorë t’i kemi të gjitha blloqet në dispozicion të prodhimit të energjisë elektrike. Prandaj, ashtu siç edhe kemi premtuar, tani jemi në fazën përfundimtare të investimeve kapitale në remontet e planifikuara”, është thënë në njoftimin e KEK-ut.
Sipas këtij njoftimi, në këtë vazhdë, TC-Kosova B, ditë më parë ka përfunduar me sukses remontin kapital në njësinë B-2, dhe pas përfundimit të fazës testuese kjo njësi ka filluar prodhimin me kapacitet të plotë.
“Remonti kapital ka përfunduar me sukses edhe në njësinë A-3 të TC-Kosovës A, dhe sot ka filluar faza testuese tre ditore. Për më tepër, për të pasur një siguri që gjatë sezonit dimërorë të gjitha njësitë të jenë në prodhim me kapacitete të plota, sipas planifikimit (të shtunën) ka filluar edhe revizioni disa ditorë i njësisë B-1 të TC-Kosova B”, është theksuar në këtë njoftim.
Më tutje theksohet se objektivat e menaxhmentit të KEK-ut, që siguria e prodhimit në të gjitha njësitë të arrijë në nivelin më të lartë të mundshëm, ka arritur të përfundojë me sukses. “Për këto arritje, menaxhmenti i KEK-ut, falënderon të gjithë punëtorët e KEK-ut për angazhimin maksimal të treguar tash e disa muaj dhe njofton qytetarët e vendit se KEK-u me kohë ka marrë të gjitha masat e nevojshme që të ofrojë stabilitet energjetik në vend edhe gjatë sezoni dimërorë”, është thënë në njoftimin e KEK-ut.