Përfundon me sukses faza e parë e garës së inteligjencës “Eureka 6”

16 dhjetor 2018 | 13:19

Gjimnazi “Hasan Nahi” në kuadër të Fondacionit për Arsim dhe Kulturë “Atmosfera” ka organizuar edicionin e gjashtë me radhë garën e inteligjencës “Eureka 6”.

Gara e inteligjencës “Eureka 6” të shtunën ka sfiduar dijen e rreth 2 000 nxënësve më të mirë nga e gjithë Kosova të përzgjedhur nga klasat e 9-ta nga 26 komuna të ndryshme të Kosovës.

Në mesin e rreth 2 000 nxënësve sa ishin pjesëmarrës në këtë garë do të përzgjidhen 250 finalistë të cilët do të garojnë në fazën finale të garës ‘Eureka 6’ që do të mbahet më 23 mars të vitit 2019, në orën 11:00, në ambientin e Gjimnazit “Hasan Nahi” në Prishtinë.

Me këtë rast, drejtori i Gjimnazit “Hasan Nahi”, Fatih Bamja, ka falënderuar MAShT-in dhe të gjitha drejtoritë arsimore për mbështetjen dhe seriozitetin e treguar në realizimin e këtij projekti prestigjioz dhe shumë të rëndësishëm.

“Në këtë garë i jepet mundësia që çdo nxënësi nga klasat e 9-ta të garojë, të zhvillojë mënyrën e të kuptuarit, të arsyetuarit dhe të logjikuarit të tij dhe  të zbulojë talentin e vet. Qëllimi dhe synimi i organizimit të kësaj gare është që të gjithë bashkërisht t’i dalim për zot brezit të ri të vendit tonë duke i inkurajuar dhe motivuar për dijen dhe shkencën dhe njëkohësisht për të rritur cilësinë e arsimit i cili llogaritet si investimi më i mirë për një të ardhme më të ndritur dhe të sigurt për atdheun tonë”, është shprehur Bamja, duke shtuar se puna më e madhe që mund të bëhet në një vend është pikërisht përpjekja në fushën e arsimit.

“Një shoqëri që studion, mëson dhe këto që mëson i jeton të gërshetuara me vlerat kombëtare, atëherë ardhmëria e kësaj shoqërie është e shëndoshë”, ka theksuar Bamja.

Rezultatet e fazës së parë të kësaj gare mbarëkombëtare priten të dalin më 21 dhjetor, ku do të shpallen 250 finalistë.

/Epoka e re/ 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Jakup Krasniqi Pas votimit të Delegacionit qeveritar në Kuvendin…