Përfundon me sukses programi KEDS Kids Academy (Foto)
Rreth 150 fëmijë kanë përfunduar mësimet në kursin e KEDS Kids Academy. Ky projekt është zhvilluar nga Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji elektrike (KEDS).
Në kuadër të projektit janë trajnuar fëmijët 7 deri në 10 vjeç të punëtorëve të KEDS-it të distriktit të Prishtinës.
Ligjëratat janë ndarë në disa grupe dhe janë zhvilluar gjatë muajve korrik dhe gusht, në kohën kur fëmijët janë në pushime verore.
Fëmijët kanë mësuar si të programojnë, si të dizajnojnë çarqe dhe të montojnë pajisje elektronike.
Ata përmes ligjëratave dhe ushtrimeve po ashtu mësuan si funksionon Arduino, që është një platformë e cila përdoret për ndërtimin e projekteve në elektronike dhe robotikë.
Drejtoresha për komunikime në KEDS, Naxhije Arifaj, ka thënë fëmijët që kanë marrë pjesë në këtë program kanë treguar interesim mjaft të madh që të marrin njohuri të reja në këtë fushë.
Fëmijët kanë vizituar edhe laboratorët e KEDS-it dhe nga afër kanë mësuar se si funksionojnë njehsorët elektrikë.
Përkrahja e komunitetit në fushën e edukimit mbetet angazhim i përhershëm i KEDS-it, i filluar që nga koha kur kompania kishte nisur operimet, përmes programit të KEDS Academy.
/Epoka e re/