Përfundon me sukses seminari me gjyqtarët e Superligës dhe Ligës së Parë

25 janar 2024 | 14:27

Nga data 19 deri më 25 janar është mbajtur seminari me gjyqtarët e Superligës dhe Ligës së Parë në Durrës. Ky seminar, ka shërbyer që të vlerësohet forma fizike dhe teorike e gjyqtarëve para fillimit të stinorit pranveror.

Gjatë seminarit, gjyqtarët janë vizituar nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi i cili në fjalimin e tij kërkoi nga gjyqtarët që të jenë sa më vigjilentë gjatë ndeshjeve të stinorit pranveror dhe të kryejnë detyrën e tyre me profesionalizëm.

Nga afër punimet e këtij seminari i ka përcjellur edhe kryetari i gjyqtarëve, Përparim Hasani së bashku me Komisionin e Gjyqtarëve dhe është ndarë i kënaqur me formën aktuale të gjyqtarëve, si në aspektin teorik ashtu edhe atë fizik.

Seminari me gjyqtarë të Superligës është mbajtur nga data 19-22 janar 2024, nën përkrahjen e UEFA-së, ku ligjërues ka qenë instruktor i UEFA-së, Frank De Bleeckere dhe temat të cilat janë shtjelluar kanë qenë: “Konsistenca në marrjen e vendimeve”, “Loja me dorë”, “Menaxhimi i lojës” dhe “Bashkëpunimi si dhe diskutimi i klipeve nga ligat vendore dhe VAR Linja e Intervenimit”.

Seminari me gjyqtarë të Ligës së Parë është mbajtur nga data 22-25 janar 2024, ku ligjërues kanë qenë Besfort Kasumi dhe Visar Kastrati, ndërsa temat të cilat janë shtjelluar kanë qenë të njëjtat të cilat janë diskutuar edhe me gjyqtarët e Superligës.

Në ditën e fundit të seminarit gjyqtarët iu nënshtruan edhe testeve fizike dhe të gjithë i kanë kaluar me sukses. Në fund, komisioni ka analizuar gjithë rezultatin dhe formën fizike të gjyqtarëve dhe ka konstatuar se gjyqtarët janë të gatshëm për fillimin e kampionatit.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, akuzoi fuqitë perëndimore për armatosjen…