Përfundon pa incidente protesta e serbëve në veri
Qytetarë serbë protestuan sot në fshatin Rudarë, Komuna e Zveçanit, kundër, siç thanë, “kërcënimeve” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Në këtë vend, i cili në mesin e komunitetin lokal serb njihet edhe si “Te kryqi”, ndodhet një prej barrikadave të ngritura në veri të Kosovës qysh më 10 dhjetor.
Radio Evropa e Lirë merr vesh se në protestë morën pjesë edhe pjesëtarë të komunitetit serb nga zona të tjera të Kosovës.
Bëhet fjalë kryesisht për persona të punësuar në institucionet serbe që funksionojnë në Kosovë.
Në mesin e të pranishmëve kishte edhe prej atyre që punojnë në institucionet e Kosovës, kryesisht në ato të vetëqeverisjes lokale.
Në fillim të protestës, turmës iu drejtua djali i Dejan Pantiqit, Predrag Pantiq, si dhe ish-kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Nikola Kabashiq, ish-kryetari i Komunës së Zveçanit, Dragisha Miloviq dhe të tjerë nga sektori i arsimit dhe drejtësisë.
Ata thanë se duan paqe, duan të qëndrojnë dhe të mbijetojnë në Kosovë, se nuk kanë asgjë kundër popullit shqiptar, por janë kundër Qeverisë së Albin Kurtit. Ata i dënuan arrestimet në veri dhe dërgimin e njësive speciale të Policisë së Kosovës në atë pjesë të Kosovës.
Qëllimi i arrestimeve, sipas tyre, ishte “frikësimi” i popullit serb.
Kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, nga radhët e Listës Serbe, tha se “në këtë luftë, serbët janë të bashkuar”. Ai tha se qëllimi i Kurtit është që të mos ketë serbë në jug dhe në veri të Ibrit, ose të ketë “vetëm nga ata që duan t’i përulen”.
Kurse, disa nga qytetarët e mbledhur në Rudarë, me të cilët ka biseduar REL-i, thanë se kanë ardhur për të luftuar për të drejtat e tyre, por ka edhe nga ta që deklaruan se u detyruan të vijnë.
Tubimet e tilla janë “obligim pune” për punonjësit në institucionet serbe në Kosovë.